Ekspertët përfundojnë draftin e parë për Dokumentin Analitik, kryetari i Komisionit të Posaçëm përballë gazetarëve: 12 Tryeza Tematike dhe Forume të Dialogut Qytetar

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, z.Fatmir Xhafaj, zhvilloi sot një konferencë me mediat për të bërë transparencën e punës së realizuar deri më tani prej Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të atashuar në këtë komision. “Ne e kemi pritur me durim këtë moment, sepse kemi dashur të dalim para jush me një bilanc konkret të punës së bërë deri më tani, të bindur se në finale është puna që ngelet dhe flet më shumë se çdo fjalë tjetër”, u shpreh z. Xhafaj në krye të fjalës së tij.

Më tej  kreu i komisionit të posaçëm MASL bëri të ditur se tashmë është hartuar një draft i analizës së situatës aktuale në të 3 fushat objkt i punës së komisionit: i)Mirëqëverisja, ii)Antikorrupsioni dhe iii)Sundimi i Ligjit. “Ky është një material voluminoz me qindra faqe. (rreth 700 faqe, 12 Komponentë/kapituj dhe rreth 20 Nënkomponentë). Përmbledhjet ekzekutive të tij sipas çdo komponenti do të jenë publike pas disa ditësh në faqen ëeb të komisionit dhe do t’i nënshtrohen më tej një procesi konsultimi. Me qëllim përmbushjen e 4 parimeve kyçe mbi të cilat është ndërtuar ky proces reformimi, pra: gjithëpërfshirjen; transparencën; profesionalizmin dhe standardet më të mira të BE, ne jemi duke programuar  një proces të gjerë konsultimi që do të zhvillohet gjatë muajit nëntor e në vijim”, deklaroi z. Xhafaj.

Në kuadër të këtij procesi do të organizohen Tryezat Tematike Publike për një sërë çështjesh të përcaktuara nga Grupet e Ekspertëve. “Përgjithësisht për çdo prej komponentëve të të 3 shtyllave do të ketë disa Tryeza Tematike, rreth 12 të tilla, në të cilat moderimi, si dhe prezantimi i draftit dhe çështjeve të shtruara për debat e konsultim publik, do të bëhen nga vetë ekspertët që kanë punuar me to. Në këto tryeza do të ftohen të marrin pjesë grupet e interesit, institucionet ligjzbatuese, përfaqësues të shoqërisë civile e komunitetit të biznesit, profesionistë të fushës, etj”, informoi z.Xhafaj.

Kreu i Komisionit MASl informoi se është menduar të organizohen Forumet e Dialogut Qytetar me fokus një sërë çështjesh të ndjeshme për qytetarët përfshi ato që lidhen më nevojën për një qeverisje vendore më të mirë, çështjet që lidhen me parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit, etj. Forumet do të zhvillohen kryesisht në nivel vendor dhe në qendrat universitare, si bashkëbisedim me pedagogët e studentët.

“Ky draft dokumenti do të konsultohet me grupet e interesit, përfshi dhe institucionet shtetërore dhe agjencitë ekzekutive për t’u njohur me këndvështrimin e tyre lidhur me çështjet objekt analize si dhe veçanërisht me ekipin e negociatorëve të BE për fushat respektive për të vlerësuar përputhshmërinë e vlerësimeve, gjetjeve e problematikave të konstatuara me angazhimet e shtetit shqiptar në kuadrin e negociatave me BE. Gjithashtu ky draft Dokumenti Analitik do t’ju jepet paraprakisht edhe ekspertëve e konsultentëve ndërkombëtarë për të marrë vlerësimet e komentet e tyre lidhur me përputhshmërinë me standartet ndërkombëtare si dhe për të reflektuar në përvojat më të mira ndërkombëtare në këto fusha. Në përfundim të këtij procesi të gjerë konsultimi vlerësimet, komentet, gjetjet dhe propozimet e mbledhura si më sipër do t’i jepen grupeve të ekspertëve për t’i reflektuar në Dokumentin Analitik dhe vetëm në përmbyllje të këtij procesi drafti do t’i kalojë KPP për diskutim e miratim”, deklaroi z. Xhafaj.

Lidhur me ekspertët që po punojnë në këtë komision, z.Xhafaj informoi se një proces i tillë kaq kompleks nuk mund të kryhej pa pasur një ekip të aftë dhe të pavarur ekspertize vendase e ndërkombëtare. “Në përbërje të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë aktualisht janë rreth  70 ekspertë të propozuar vetëm nga : i)Institucionet e pavarura; ii)Bota akademike (Universitetet publike e jopublike); iii)Shoqëria civile dhe iv)Organizatat e Komunitetit të Biznesit. Ftesës sonë për kontributin me analiza, dokumenta, raporte ndërkombëtare dhe ekspertë i janë përgjigjur pozitivisht disa Institucione dhe organizata ndërkombëtare të njohura për përvojën e tyre në këto fusha si dhe shumë ekspertë të huaj e shtetas shqiptar jashtë vendit që do të kontribojnë në cilësinë e Konsulentëve të jashtëm pranë GENL.  Në përgjigje të Ftesës sonë për bashkëpunim kanë konfirmuar kontributin rreth 20 ekspertë ndërkombëtarë të huaj si dhe mbi 20 ekspertë shtetas shqiptarë që punojnë jashtë vendit, të cilët janë të njohur për përvojën si ekspertë të negociatave me BE dhe të çështjeve evropiane, profesorë si pedagogë të së drejtës, por edhe ushtrues të fushës së zbatimit të ligjit, përfshi edhe gjyqtarë dhe prokurorë, kryesisht nga Italia, Franca, Gjermania, Hollanda, SHBA, Kanadaja, Austria, Belgjika, Kroacia,  etj”, u shpreh z.Xhafaj.

Duke u ndalur tek Reforma në Drejtësi, z.Xhafaj nënvizoi se shtyllat e asaj reforme të miratuar në 2016, janë të panegociueshme.

“Në fund, por jo nga rëndësia dua të trajtoj edhe një çështje që shumë është spekuluar, kryesisht nga mosnjohja, por shpesh edhe me qëllim, megjithë sqarimet tona dhe disa deklarata të qarta të partnerëve ndërkombëtarë. Ne e konsiderojmë Reformën në Drejtësi, një prej lëvizjeve më të mëdha shtetndërtuese në historinë e shtetit shqiptar – më e madhja në procesin historik të kalimit nga diktatura në një demokraci funksionale. Ne jemi shumë krenarë që kemi inicuar, hartuar, realizuar dhe zbatuar Reformën në Drejtësi! Zbatimi i saj mbetet një domodoshmëri për jetësimin e parimit themelor kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet tre pushteteve, si dhe për të garantuar një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent, eficient, profesional dhe të barabartë për të gjithë qytetarët; Shtyllat e reformës në drejtësi, të miratuara në 2016, janë të panegociueshme! Ne vlerësojmë rezultatet e derisotme pozitive të Reformës në Drejtësi, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, nëpërmjet procesit të vettingut për pastrimin e burimeve njerëzore në sistemin e drejtësisë, si dhe nëpërmjet veprimtarisë së strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila po kontribuon në mënyrë domethënësë në dhënien fund të epokës së pandëshkueshmërisë”, nënvizoi z. Xhafaj.

Në vijim kryetari i komisionit të posaçëm MASL deklaroi se përmes këtij procesi ne synojmë të garantojmë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, konsolidimin e saj të mëtejshëm dhe njëherësh rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë në pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, nxitjen e cilësisë së vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë nëpërmjet forcimit të integritetit, llogaridhënies dhe transparencës, sipas rekomandimeve të Raporteve të BE si dhe masave të udhërrëfyesit “Për shtetin e së drejtës” në zbatim të tyre, Raportit 2024 të BE për sundimin e ligjit etj.

Sipas tij, rezultatet e Reformës në Drejtësi ishin domethënëse dhe rezultatet pozitive të deritanishme në procesin e negociatave janë shenjuar falë kësaj reforme.

“Ne kemi vendosur të ndërmarrim këtë projekt të ri për thellimin e reformave në këto 3 fusha ndër të tjera edhe si një synim për t’i dhënë të njëjtën energji dhe shtysë të fortë, si Reforma në Drejtësi, edhe procesit për avancimin e negociatave në këtë fazë zhvillimi, me qëllim që të bëjmë realitet ambicien tonë, anëtarësimin e Shqipërisë në BE në 2030!  Pa nxitjen dhe koordinimin në këtë nivel politik dhe institucional e vështirë të bëhen të gjitha këto reforma jetike për vendin, adresimi i sfidave të tilla të rëndësishme si: Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i ligjit”, tha z.Xhafaj.

Në fund të fjalës së tij përpara gazetarëve, teksa prezantoi dhe faqen e komisionit si një arkivë dixhitale për transparencën e punës së komisionit, por edhe një hapësirë e gjerë e gjithëpërfshirjes, z.Xhafaj iu bëri një thirrje të gjithë grupeve të interesit dhe profesionistëve të fushave që lidhen me objektin e këtij komisioni, por edhe të gjithë qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve e të reja që të përfshihen në këtë proces të ri për thellimin e reformave në këto 3 fusha kyçe: Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i ligjit, duke dhënë vlerësimet dhe kontributet e tyre që mund të ndihmojnë në përmirësimin e analizës, identifikimin e masave që shërbejnë për ta thelluar këtë proces reformimi dhe përgjithësisht në procesin ligjbërës!

“Faqja Web e komisionit dhe procesi i konsultimit e mundëson përfshirjen e çdo kontributi të mundshëm qytetar e professional. Ne mirëpresim veçanërisht edhe profesionistë të këtyre fushave, brenda e jashtë vendit, që dëshirojnë të kontribojnë drejtpërsëdrejti në këtë proces të regjistrohen në faqen Web. Janë të gjithë të mirëpritur!”, deklaroi z.Xhafaj.