Pyetjet më të shpeshta

Kuvendi i Shqipërisë më 27 Maj 2024 ka miratuar Rezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”,

Rezoluta synon të nxisë thellimin e reformave modernizuese të shtetit duke vendosur në fokus 3 fushat kyçe:

i. Mirëqeverisja;
ii. Antikorrupsioni;
iii. Sundimi i Ligjit.

Ky projekt reformues synon të adresojë:

  • Tre cështje jetike për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës;
  • Tre prioritete që kanë pritshmërinë më të lartë të qytetarëve për rritjen e besimit të tyre tek shteti e qeverisja e tij;
  • Tre sfida kyce që kushtëzojnë dhe garantojnë përshpejtimin e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian;


  • Në zbatim të rezolutës së Kuvendit është ngritur ky Komision i Posaçëm Parlamentar, i cili ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e të koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim:

  • Adresimin e masave të nevojshme për reflektime politike, institucionale e ligjore në adresimin e 3 sfidave të mësipërme;
  • Rritjen e fokusit të tij dhe të gjithë aktorëve të tjerë institucionalë në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE;
  • Ushtrimin më eficent të përgjegjësive kushtetuese dhe përmirësimin cilësisht të rolit ligjvënës, monitorues, mbikëqyrës e koordinues të Kuvendit;
  • Nxitje e frymës së dialogut institucional midis 3 pushteteve në respektim të parimit të kontrollit dhe balancës (check & balance) në funksion të përgjegjësive të përbashkëta në procesin e integrimit të vendit;


  • Në përmbushjen e këtyre objektivave madhorë, Komisioni i Posaçëm është një mekanizëm i rëndësishëm parlamentar për të formësuar kornizën e reformave të ardhshme të Shqipërisë për forcimin e institucioneve dhe përgatitjen e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian (BE).

    Shoqëria shqiptare, pas një periudhe të gjatë tranzicioni, është në një moment të rëndësishëm të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe forcimit të demokracisë. Reforma në drejtësi ishte hap kyç për këtë proces, por që ajo të mbetet një proces i pakthyeshëm e i besueshëm dhe të efektojë pozitivisht gjithë mekanizmat e shtetit dhe vetë shoqërinë shqiptare është domosdoshmëri të përmbyllim me sukses deri në fund procesin e reformave shtetformuese që reformojnë e konsolidojnë në të njëtin hap veprimi të gjitha institucionet e shtetit, përfshi dhe partitë politike. Në këtë kontekst një analizë e kujdesshme e proceseve të deritanishme na ka çuar në përfundimin se vendi ka nevojë për një cikël tjetër reformimi në funksion të forcimit të mëtejshëm të rendit demokratik, si prova madhore e përmbushjes së objektivit strategjik të ndërtimit të shtetit shqiptar të së drejtës.

    Domosdoshmëria e kësaj përpjekjeje të re, vjen gjithashtu edhe si një nevojë për të arritur standartet e Bashkimit Europian të funksionimit të gjithë strukturave të shtetit, jo vetëm si aspiratë dhe prioriteti ynë në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por edhe për standartet që meritojnë qytetarët shqiptarë. Kjo reformë është gjithashtu edhe si një domosdoshmëri për të shfrytëzuar momentumin e procesit të integrimit europian, për të zbatuar masat që Shqipëria duhet të ndërmarrë në kuadër të procesit të negociatave me BE-në, veçanërisht hapjes së negociatave të grupkapitujve të parë “Themeloret” ashtu si dhe në angazhimet që Shteti Shqiptar ka ndërmarrë në kuadër të Samitit për Demokraci të SHBA, duke e konsideruar luftën ndaj korrupsionit si një sfidë globale. Nevojat që dikton stadi i ri i vendit pas çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, ka nxjerrë më së miri në pah përpara aktorëve politikë e faktorëve shoqërorë, të cilëve u takon barra e marrjes së përgjegjësisë të leximit të duhur të këtyre nevojave, të trajtimit të tyre me kompetencë të lartë profesionale, të adresimit të tyre përmes një plani kombëtar veprimi, që orienton qasjen dhe aktivitetin e të tre pushteteve të pavarura të Republikës së Shqipërisë, për vijimin me sukses të punës së përbashkët, pavarësisht njëri – tjetrit dhe në bashkëpunim me njëri – tjetrin, për të forcuar demokracinë, thelluar antikorrupsionin, konsoliduar shtetin e së drejtës.

    Reforma në drejtësi tashmë është një realitet i prekshëm dhe zbatimi i saj ka dhënë e do të japë një sërë rezultatesh pozitive në jetën shoqërore dhe në forcimin e modernizimin e shtetit të së drejtës.

    Është koha që bazuar në këtë frymë dhe përvojë të krijuar me reformën në drejtësi, ta thellojmë edhe më tej këtë reformim të shoqërisë shqiptare me synim modernizimin e mëtejshëm të shtetit edhe në një sërë funksionesh dhe institucionesh të rëndësishme të tij që garantojnë një qeverisje më të mirë, parandalimin e luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

    Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës shprehu vullnetin e qartë për të ndërmarrë një sërë angazhimesh të reja në funksion të një cikli të ri reformimi për Shqipërinë 2030 në BE.

    Përmes këtij procesi synohen reforma të rëndësishme e komplekse në shërbim të interesit qytetar, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, modernizimit të mëtejshëm të shtetit, funksioneve e institucioneve të tij duke synuar adresimin e 3 sfidave kyc: i)Mirëqeverisjes; ii)Antikorrupsionit dhe iii)Sundimin e ligjit;

    Përballja me këto 3 sfida është gjithashtu një kontribut i ndërlidhur me angazhimet e shtetit shqiptar në kuadrin e procesit të integrimit të vendit, një angazhim më i drejtpërdrejt i rolit të Kuvendit për përshpejtimin e këtij procesi, për një reflektim më të mirë të masave të përcaktuara, përfshirjen më të mirë të institucioneve të angazhuara në këtë proces dhe njëherësh përmirësimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e realizimit të tyre, mbikëqyrjen dhe kontrollin ndaj tyre, si funksione të rëndësishme kushtetuese të tij.

    Kuvendi është përfaqësues i vullnetit të popullit, pushtet i deleguar i tij, prej të cilit, burojnë drejtpërsëdrejti ose përmes vullnetit ligjvënës të tij, institucionet e dy pushteteve të tjera dhe institucionet e pavarura në vend. Në bazë të Kushtetutës dhe kuadrit ligjor në fuqi, Kuvendi ka hapësirën e duhur gjithëpërshirëse dhe është institucioni kushtetues kyç për drejtimin, koordinimin dhe mbikqyrjen e një procesi të tillë reformimi dhe angazhimesh e veprimesh komplekse.

    Vendimi për hapjen e negociatave me BE është moment kyç për rrugëtimin tonë europian. Vendimi për fillimin e negociatave për Grupkapitujt e I “Themeloret” kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërorë për të realizuar masat e përcaktuara me qëllim përshpejtimin e këtij procesi me objektivin: Shqipëria 2030 në BE.

    Grupkapitulli 1 “Themeloret” përbën thelbin e shtetit të së drejtës ku masat kryesore që Qeveria Shqiptare është dakordësuar me BE-në për të ndërmarrë për zbatimin e tyre janë pjesë e dokumentit bazë të Pozicionit negociues për 5 kapituj dhe 3 kriteret politike konkretizuar në 855 masat e udhërrëfyesve “Shteti i së drejtës”, “Reforma në administratën publike” dhe “Funksionimi i Institucioneve demokratike”.

    Korniza dhe baza kryesore ku do të mbështetet kjo reformë e re do të jenë dokumentat tashmë pjesë të kuadrit negociator të shtetit shqiptar sic janë Raporti Screening për Grupin 1 “Themeloret”, Masat e 3 udhërrëfyesve të miratuar me VKM, kriteret e parashikuara në dokumentin e asocimit të BE-së për grupin e I, etj,

    Mbështetur në këto dokumenta do të ndërtohet puna për hartimin e Dokumentit Analitik/Analizës dhe Planit Kombëtar të Veprimit.

    Kjo reformë që ndërmerret nëpërmjet Komisionit të Posacëm nuk është një mbivendosje e rolit të Komisioneve të Kuvendit në procesin e integrimit europian, pasi nuk synon të trajtojë dhe shqyrtojë proceset që lidhen me rolin specifik të Kuvendit në këtë proces nëpërmjet Komisionit të përhershëm për Çështjet Evropiane apo dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, dhe as të mbivendosë funksionet që janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tyre në zbatim të ligjit 15/2015 të ndryshuar “Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Europian të Republikës së Shqipërisë në BE”  si edhe Rregullores së Kuvendit të ndryshuar.

    Ky komision ndër të tjera, përmes nxitjes së reformave lidhur me fushat e mirëqeverisjes, antikorrupsionit e sundimit të ligjit, do të kontribojë edhe në ndërtimin e politikave, masave ligjore, dhe institucionale që efektojnë në nxitjen dhe koordinimin e të gjithë aktorëve për përshpejtimin e reformave që i shërbejnë procesit të integrimit europian me synimin ambicioz për anëtarësimin e Shqipërisë në BE në vitin 2030.

    KPP synon të bëjë bashkë legjislativin dhe ekzekutivin, institucionet e pavarura, shoqërinë civile, median, botën akademike, grupet e tjera të interesit me ekspertizën më të mirë vendase të asistuar edhe nga ekspertiza ndërkombëtare për të analizuar, diskutuar dhe dakordësuar hapat që do të ndërmerren në këto 3 fusha kyç për Shqipërinë 2030 në BE.

    Komisioni i Posaçëm Parlamentar (KPP) e organizon dhe e zhvillon veprimtarinë e tij mbështetur në dispozitat e Rregullores së Kuvendit për funksionimin e komisioneve parlamentare.

    Të gjitha dokumentat do të shqyrtohen, votohen dhe miratohen në Komision bazuar në propozimet e Grupit të Ekspertëve nën asistencën ndërkombëtare dhe pas një procesi të gjerë konsultimi publik.

    KPP do të miratojë Dokumentin analitik/Analizën me vlerësimet, gjetjet dhe rekomandimet për të tre fushat objekt të punës së tij, si dhe do të miratojë në reflektim të tyre Planin Kombëtar të Veprimit i cili do të miratohet nga Kuvendi dhe rekomandimet e të cilit do të jenë orientuese dhe detyruese për t’u zbatuar nga institucionet shtetërore të angazhuara në këtë proces.

    Komisioni do të përfshihet aktivisht me vendimmarrje organizative dhe kryesisht në fazën e miratimit të dokumentave dhe projektakteve të ndryshme para shqyrtimit në seancë plenare.

    Realizimi i procesit, përmbajtjes dhe vecanërisht dokumentave dhe akteve që do dalin prej tij do të hartohen nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL) do të kryejë funksionet e tij në cilësinë e një ekipi të pavarur ekspertize.

    KPP ngrihet dhe funksionon mbi bazën e rregullave të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit, në mënyrë të njëjtë me rregullat e komisioneve të përhershme parlamentare. (Neni 32 e vijues të Rregullores së Kuvendit)

    Kuvendi në vendimin nr.50/2024 të tij ka përcaktuar se mandati i Komisionit të Posaçëm Parlamentar është me një afat kohor 10 mujor dhe se në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit. (Neni 24 i Rregullores së Kuvendit)

    Rezoluta dhe Vendimi i Kuvendit për ngritjen e KPP ka parashikuar zhvillimin e punës së tij në 3 faza kryesore në të cilat do të hartohen dhe miratohen edhe dokumentat përkatëse:

      I. Hartimi dhe miratimi i Dokumentit Analitik duke realizuar një Analizë të situatës aktuale në të tre shtyllat. Ky dokument do ti nënshtrohet edhe një procesi të gjerë konsultimi publik = Gusht – Nëntor 2024;
      II. Hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme dhe me masa e indikatorë konkretë për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha duke përcaktuar edhe mekanizmat për zbatimin, monitorimin e mbikqyrjen e tyre = Nëntor 2024 – Janar 2025;
      III. Propozimi i Projektligjeve dhe Masave/Projekteve për ndryshime të mundshme institucionale që do të dakortësohen mbi bazën e PKV;

    Realizimi i procesit, përmbajtjes dhe vecanërisht dokumentave dhe akteve që do dalin prej tij do të hartohen nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL) që do të kryejë funksionet e tij në cilësinë e një ekipi të pavarur ekspertize.

    GENL ka në pëbërje të saj ekspertë të propozuar vetëm nga: i) Institucionet e pavarura; ii)Bota akademike (Universitetet publike e jopublike); iii)Shoqëria civile dhe iv)Organizatat e Komunitetit të Biznesit.

    KPP ka miratuar dhe adresuar ftesat për bashkëpunim drejtuar institucioneve respektive dhe janë vetë institucionet e organizatat përkatëse që kanë përcaktuar ekspertët dhe përfaqësuesit e tyre.

    Aktualisht janë përfshirë në proces rreth 70 ekspertë të nivelit të lartë të propozuar nga 4 grupet e sipërpërmendura.

    GENL do të jetë tërësisht i pavarur në funksionimin e tij duke respektuar profesionalizmin, integritetin dhe lirinë e ekspertëve të përfshirë, në debatin e brendshëm dhe hartimin e dokumentave përkatës.

    GENL mbështetet në punën e tij nga Sekretariati Teknik (ST), i cili përbëhet kryesisht nga stafi i Kuvendit, që ka edhe funksione koordinuese, nga profesionistë të përzgjedhur nga stafi i administratës publike (kryesisht me përvojë në negociata), si dhe profesionistë të rinj nga universitetet, shoqëria civile etj.

    GENL të mbështetur nga ST dhe Asistenca e Konsulenca e Ekspertizës Ndërkombëtare janë të strukturuar në Grupe pune në 3 shtylla dhe do të angazhohen për hartimin e Dokumentit Analitik e Planit Kombëtar të Veprimit, si dhe do të përfshihen në procesin e konsultimit publik të akteve të tyre si dhe moderimin e Tryezave të debatit për tematika të caktuara me profesionistë të fushës dhe grupet e interesit.

    KPP synon që ky proces reformimi dhe veçanërisht dokumentat që do të miratohen si dhe propozimet përkatëse ligjore, të reflektojnë përvojat e standartet më të mira ndërkombëtare në këto fusha, duke qenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE-së.

    Ndaj edhe pjesë e rëndësishme e dokumentave referuese për Analizën dhe Planin Kombëtar të Veprimit përfshin, përveç standarteve dhe kuadrit negociues me BE-në, edhe vlerësimet, gjetjet e rekomandimet e raporteve të mekanizmave të Këshillit të Europës, si Moneyval dhe GRECO, DASH, Transparency International, OECD apo OKB. (Rreth 5000 faqe dokumentash për secilën shtyllë).

    Gjithashtu KPP ka miratuar dhe adresuar Ftesa për bashkëpunim për ekspertizë e asistencë teknike, por edhe për monitorimin e certifikimin e procesit dhe produkteteve të tij me standartet më të mira ndërkombëtare. Qëllimi është që parasëgjithash nga ekspertiza ndërkombëtare të përfitohet asistenca teknike dhe kontributi me ekspertizë pranë GENL, si dhe të mundësohet MONITORIMI dhe Mbikëqyrja e procesit, veçanërisht nga misionet e asistencës të BE-së e SHBA-së që tashmë janë angazhuar me përfaqësuesit/ekspertët e tyre pranë KPP.

    Ftesës sonë për kontributin me analiza, dokumenta, raporte ndërkombëtare dhe ekspertë i janë përgjigjur rreth 27 organizata ndërkombëtare të njohura për përvojën e tyre në këto fusha, që veprojnë në Shqipëri dhe jashtë vendit, (si p.sh. OSBE, Këshilli i Europës, Transparency International, OGP, GRECO, Moneyval, IBRD, Banka Botërore, UNDP, IRI, NDI, ANAC Itali, GIZ, etj.). Një pjesë e tyre do të kontribojnë me ekspertë si konsulentë të jashtëm me opinionet e tyre pranë GENL dhe disa përmes dokumentave e raporteve të tyre.

    Janë ftuar edhe disa institucione arsimore universitare, të cilët janë përgjigjur pozitivisht për të sjellë ekspertizën e tyre, si Universiteti Italian i Shkencave Juridike, Kolegji i Europës, Akademia Ndërkombëtare Antikorrupsion në Vjenë, etj.

    Ftesës për ekspertizë i janë përgjigjur pozitivisht 22 ekspertë ndërkombëtarë, ekspertë të negociatave me BE dhe të cështjeve evropiane, pedagogë të së drejtës, por edhe ushtrues të fushës së zbatimit të ligjit, përfshi edhe gjyqtarë dhe prokurorë, kryesisht italianë, kroatë, austriakë, gjermanë, britanikë, hollandezë, amerikanë, etj.

    Po punohet për të njohur nga afër dhe për të marrë përvojën pozitive nga disa modele të suksesshme dhe tashmë të afirmuara në këto fusha në vende të ngjashme me Shqipërinë, si Lituania, Letonia, Kroacia, etj.

    Ne e konsiderojmë Reformën në Drejtësi si një prej lëvizjeve më të mëdha shtetndërtuese në historinë e shtetit shqiptar, më e madhja në procesin historik të kalimit nga diktatura në një demokraci funksionale.

    Zbatimi i saj mbetet domosdoshmëri për jetësimin e parimit themelor kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet tre pushteteve, si dhe për të garantuar një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent, eficent dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.

    Ne vlerësojmë rezultatet pozitive të deritanishme të reformës në drejtësi, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, nëpërmjet procesit të vettingut për pastrimin e burimeve njerëzore në sistemin e drejtësisë, veçanërisht nëpërmjet veprimtarisë së SPAK, etj., i cili po kontribuon në mënyrë domethënësë në dhënien fund të epokës së pandëshkueshmërisë.

    Janë rreth 41 masa që lidhen drejtpërdrejtë me reformën në drejtësi dhe që duhen adresuar për reflektim e zbatim të parashikuara edhe në Udhërrëfyesin për “shtetin e së drejtës” dhe për një shumicë të tyre kërkohet domosdoshmërisht roli ligjvënës, mbikëqyrës dhe koordinues i Kuvendit.

    Kuvendi ka të domosdoshëm që në zbatim të rolit të tij kushtetues dhe përcaktimeve të bëra në rregulloren e tij si dhe në standartet e përvojën më të mirë ndërkombëtare në këtë fushë të kryejë atë që quhet procesi post scrutinity legislation ose ndryshe Kontrolli post legjislativ. Kanë kaluar rreth 8 vjet nga miratimi i Kushtetutës dhe kuadrit ligjor bazë që reformoi sistemin e drejtësisë dhe është e nevojshme të realizohet ky proces për të vlerësuar sukseset dhe arritjet e reformës dhe nevojën për t'i konsoliduar ato në të gjithë veprimtarinë e sistemit si dhe për të reflektuar mbi gjetjet, problematikat që vërehen duke bërë ndryshimet e nevojshme.

    Ndërkohë ka edhe një fakt tjetër. Janë rreth 140 nene të propozuara për ndryshim ligjesh, nga vetë institucionet e reja të drejtësisë, të cilat janë kryesisht pjesë të kuadrit ligjor të miratuar nga reforma në drejtësi, që duhen shqyrtuar e reflektuar. Një proces i tillë ndryshimesh me një numër kaq të lartë propozimesh gjykojmë se e ka të domosdoshme një analizë të situatës aktuale në ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi dhe një proces të gjerë konsultimi rreth tyre.

    Analiza, plani i veprimit dhe hartimi i amendamenteve ligjore edhe në këtë fushë po synohet të realizohen me kontributin e vetë institucioneve dhe profesionistëve të sistemit si dhe përmes një procesi të gjerë dhe të shëndetshëm konsultimi publik, duke përfshirë të gjitha grupet e interesit dhe shoqërinë civile, si dhe në konsultim të plotë me ekspertizën ndërkombëtare.

    Përmes këtij procesi, ne synojmë të garantojmë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, konsolidimin e saj të mëtejshëm dhe rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë, në pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, duke ruajtur parimet dhe shtyllat kushtetuese të Reformës në Drejtësi të miratuar në 2016, si dhe njëherësh nxitjen e cilësisë së vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë nëpërmjet forcimit të integritetit, llogaridhënies dhe transparencës, sipas rekomandimeve të Raporteve të BE-së, dokumentit negociues për asocim për Grupin 1 “Themeloret” të BE-së si dhe masave të udhërrëfyesit “Për shtetin e së drejtës”.