Ekspertizë Ndërkombëtare


Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, në zbatim të Rezolutës së Kuvendit dhe Vendimit nr.50 të tij, në përputhje me kompetencat dhe metodologjinë e punës së miratuar ka ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar që procesi i reformës të përmbushë standardet më të larta ndërkombëtare dhe të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Bashkimit Evropian.

Kjo është arsyeja që, si udhërrëfyes dhe kornizë e këtij procesi, janë parashikuar dokumente të rëndësishme tashmë të gjithëpranuara nga shteti shqiptar, siç janë Raporti Screening i KE për Cluster 1 “Themeloret”, Progres raportet e Komisionit Europian, Udhërrëfyesit e miratuar për shtetin e së drejtës, administratën publike, funksionimin e Institucioneve demokratike, etj. Gjithashtu, do të jenë pjesë e rëndësishme e dokumenteve referuese për Analizën dhe Planin Kombëtar të Veprimit edhe vlerësimet dhe rekomandimet e raporteve të mekanizmave të Këshillit të Europës (Moneyval e GRECO), DASH, Transparency International, OGP, etj.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar (KPP) ka synuar gjithashtu të përfshijë në këtë proces një ekspertizë të gjerë ndërkombëtare me qëllim monitorimin ndërkombëtar të procesit, sigurimin e asistencës së nevojshme teknike në mbështetje të punës së grupit të ekspertëve (GENL) dhe një konsulence me përvojë ndërkombëtare për të konsultuar hartimin e dokumentave kyce në të tre fazat e procesit dhe për të garantuar përputhshmërinë e tyre me standartet, aktet dhe përvojat më të mira ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, KPP ka bërë një ftesë publike për eksperizë ndërkombëtare si dhe në një rol proaktiv ju është drejtuar me një Ftesë për bashkëpunim disa aktorëve ndërkombëtarë, institucione qeveritare dhe joqeveritare, akademikë të huaj dhe shqiptar, që ushtrojnë profesionin e tyre jashtë vendit, të cilët janë ftuar të kontribojnë me konsulencën e tyre të tre shtyllat kryesore të tij: i)Mirëqeverisja; ii)Antikorrupsion dhe iii) Sundimi i ligjit.


Misionet e asistencës ndërkombëtare

Rezoluta dhe Vendimi i Kuvendit ka përcaktuar se: “Komisioni i Posaçëm për të garantuar një proces objektiv dhe në standartet më të mira ndërkombëtare dhe plotësisht në përputhje me rekomandimet e BE fton ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, domosdoshmërisht të aleatëve tanë strategjike si Bashkimi Evropian dhe SHBA, duke krijuar mundësinë dhe pjesëmarrjen aktive të tyre përmes ekipeve të monitorimit dhe asistencës teknike”.

Aktualisht BE përmes Delegacionit të BE në Tiranës dhe SHBA përmes Ambasadës së saj në Tiranë kanë sjellë ekipet e ekspertëve të tyre pranë KPP të cilët do të jenë të angazhuar me monitorimin e procesit dhe asistencën ndaj grupeve të GENL.

Komisioni i Posaçëm, ju është drejtuar me një Ftesë për bashkëpunim edhe disa përfaqësive diplomatike të shteteve anëtare të BE duke i ftuar ti bashkohen këtij procesi për monitorimin dhe asistencën e tij në të tre fazat e procesit dhe në të tre shtyllat e tij.

Kanë sjellë gjithashtu ekspertët e tyre edhe OSBE (përmes prezencës së saj në Tiranë), Këshilli i Europës (përmes zyrës së përfaqësimit në Tiranë), Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale (Këshilli i Europës), Ambasada e Francës, Ambasada e Britanisë së madhe, etj.

I janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të kontribuar në këtë proces edhe Ambasada e Suedisë, Zvicrës.


Institucione dhe Organizata Ndërkombëtare

Komisioni i Posaçëm ju ka dërguar Ftesë për bashkëpunim edhe një sërë institucionesh dhe organizata ndërkombetare, prej të cilave ngritja e këtij Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit është konsideruar një zgjidhje shumë e mirë dhe në momentin e duhur për rrugëtimin e sigurt të Shqipërisë në BE

Nga disa prej tyre (TI, GRECO, etj) duke ruajtur natyrën specifike të punës së tyre është pranuar mbështetja me dokumenta (raporte, studime, analiza etj) si dhe me këshillime mbi produktet finale të grupeve të ekspertëve.

Ndërkohë që për disa institucione të rëndësishme si: OGP (Partneriteti i Qeverisjes së Hapur), Banka Botërore, UNDP, IRI – International Republican Institute (SHBA), NDI – National Democratic Institute(SHBA) etj vec dokumentave që do të ofrojnë po shohin edhe forma të tjera bashkëpunimi nëpërmjet tryezave të përbashkëta për diskutimin e fushave objekt i punës së Komisionit, konsulencës ndaj GENL-së me ekspertizën e tyre, dërgimit të ekspertëve ndërkombëtarë, që mund të ofrojnë ekspertizë në mbështetje të komponentëve specifikë që lidhen edhe me fushëveprimin e tyre etj.

Bashkëpunimi dhe ekspertiza këshillimore e vyer e këtyre organizatave dhe institucioneve do të shërbejë si një vlerë e shtuar për standartet më të mira të europiane dhe ndërkombëtare si dhe praktikat më të mira të vendeve që dhe ato të dhe praktikat dhe modelet më të mira të vendeve që kanë ndërmarrë reformime të ngjashme.

Ndërkohë, disa institucione akademike prestigjoze në çështjet e të drejtës, të mirëqeverisjes dhe antikorrupsionit, të të drejtës së Bashkimit Europian, kanë shprehur gadishmërinë e tyre për të bashkëpunuar institucionalisht me grupin e pedagogëve që do të shërbejnë si konsulentë në këtë proces reformues, si Kolegji i Europës, Akademia Ndërkombëtare Antikorrupsion me qëndër në Austri, Fakulteti i Shkencave juridike, Universiteti i Salentos Itali, etj.


Ekspertët si Konsulentë të Jashtëm

Komisioni i Posaçëm Parlamentar me qëllim përftimi të ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, ka bërë Thirrje publike dhe ju ka dërguar Ftesë edhe shumë ekspertëve të huaj për të kontribuar në rolin e konsulentëve të jashtëm pranë grupit të ekspertëvve të nivelit të lartë (GENL). Ju është dërguar Ftesë për të kontribuar në rolin e Konsulentit të jashtëm edhe disa ekspertëve, shtetas shqiptar që punojnë jashtë vendit si akademikë apo ushtrues të praktikës në fushën e ligjit.

Është domethënëse se një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë shprehur interesin për të kontribuar me ekspertizën e tyre për të ofruar konsulencë kryesisht për dokumentat që do të hartohen nga ekspertët në formatin online, por edhe me vizita pune në Tiranë.

Gjatë kësaj periudhe, një sërë pedagogësh të huaj të ftuar, Profesorë dhe ekspertë të njohur në këto fusha nga Universitetet e së drejtës në Gjermani, Britani, Itali, Austri, etj, kanë shprehur interesin e tyre për të kontribuar me ekspertizën e tyre.

Gjithashtu kanë shprehur interes për përfshirje në këtë proces ekspertize në rolin e konsulentit të jashtëm edhe një sërë ekspertësh që janë të përfshirë në fushën e zbatimit të ligjit si: magjistratë nga SHBA, Britania e madhe, Gjermania, Italia, Kroacia etj.

Është domethënës fakti se deri tani, disa ekspertë shqiptarë jashtë që punojnë e jetojnë jashtë vendit, pedagogë dhe ekspertë të afirmuar dhe me përvojë eksoertize ndërkombëtare në fushat e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe të së drejtës, kanë shprehur interesin për të qënë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm reformues për vendin duke kontribuar me këshilla në rolin e Konsulentit të jashtëm pranë GENL.

Pedagogë shqiptarë, disa prej të cilëve shërbejnë në Universitetet prestigjioze në vendet të ndryshme të BE-së, si në Universistetet e Hollandës (Utrecht, Maastricht), Norvegji (Oslo), Austri (Vienë), Itali, SHBA, Kanada, Gjermani, etj., si dhe ekspertë shqiptar që shërbejnë në fushën e drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit, disa edhe si gjyqtarë, prokurorë e avokat në vende si SHBA, Spanjë, Francë, Belgjikë, Kanada, Britani, Itali etj.