Ekspertët prezantojnë në komision draft Dokumentin Analitik, caktohen deputetët relatorë

Nën drejtimin e kryetarit z.Fatmir Xhafaj u zhvillua sot mbledhja e radhës e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, ku veç anëtarëve deputetë morën pjesë edhe disa ekspertë të atashuar pranë komisionit. Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së mëparshme, u vijua me prezantimin e draft-Dokumentit Analitik nga përfaqësuesit e Ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe Sekretariatit Teknik. Dokumenti Analitik, i cili është i publikuar në faqen e internetit Masl.al, përmban një analizë të plotë të situatës aktuale sa i përket tre shtyllave objekt pune i këtij komisioni të posaçëm, identifikimin e arritjeve dhe problematikave kryesore në këto fusha, si dhe përmbledhjen e gjetjeve dhe rekomandimeve më të rëndësishme, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit për secilin prej komponentëve të shtyllave përkatëse.

Mirëqeverisja

Fillimisht koordinatorja e Sekretariatit Teknik për shtyllën e Mirëqeverisjes, znj. Besarta Vladi, bëri një përmbledhje të punës për draftimin e parë të analizës, procesit të konsultimit me organizata dhe ekspertë ndërkombëtarë, konsultimit publik dhe diskutimeve me ekspertë dhe studentë përgjatë tryezave publike dhe tre forumeve qytetare të organizuara me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe studentëve në: Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Më tej Prof.Dr. Migena Leskoviku, bëri një përmbledhje të masave dhe rekomandimeve kryesore sipas 5 kapitujve që përbëjnë shtyllën e Mirëqëverisjes: 1)Transparenca në administratën publike; 2)Integriteti dhe etika në administratën publike; 3)Llogaridhënia e institucioneve të pushtetit qëndror dhe vendor; 4)Ofrimi i shërbimeve të digjitalizuara; 5)Efektiviteti dhe transparenca në Menaxhimin e Financave Publike.

Antikorrupsioni

Koordinatorja e Sekretariatit Teknik për shtyllën e Antikorrupsionit, znj. Esmeralda Dida, bëri një përmbledhje të punës për draftimin e parë të analizës, mbështetjen teknike të ofruar nga USAID dhe NDI sa i përket përshtatjes së dokumentit analitik, procesit të konsultimit publik nëpërmjet 6 tryezave publike të organizuara gjatë periudhës nëntor-dhjetor dhe dy Forumeve të Dialogut me Qytetarët, procesit të konsultimit me organizata dhe ekspertë ndërkombëtarë, etj.

Më pas Prof. Asoc. Dr. Jonida Rustemaj, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranë prezantoi rekomandimet e ekspertëve për komponentët: “Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit politik” dhe “Parandalimi i korrupsionit në Administratën Publike, sektorët me risk më të lartë ndaj korrupsionit dhe sektorin privat”. Rekomandimet për komponentin “Funksionimi dhe eficenca e institucioneve që luftojnë korrupsionin, konfliktin e interesit dhe abuzimin me financat publike” u prezantuan nga z. Ened Topi, përfaqësues i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Shqipëri (ICC Albania). Rekomandimet e ekspertëve për komponentin “Parandalimi i financimeve të paligjshme dhe pastrimit të parave” u prezantuan nga Prof.Asoc.Dr Ledjon Shahini, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, ndërsa rekomandimet për Komponentin “Ndërtimi i një shoqërie me integritet” u prezantua nga Dr. Ilda Muçmataj, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Sundimi i Ligjit

Koordinatorja e Sekretariatit Teknik për shtyllën e Sundimit të Ligjit, znj. Elda Zenelaj, bëri një prezantimin paraprak të analizës së bërë për shtyllën e Sundimit të Ligjit, i cili synon të kontribuojë në përmirësimin e funksioneve të Kuvendit, garantimin e të drejtave të njeriut, si dhe konsolidimin e Reformës në Drejtësi. Drafti i parë i analizës i është nënshtruar konsultimit në faqen web të Komisionit, tryezave publike të organizuara gjatë periudhës nëntor-dhjetor, si dhe konsultimit të bërë me ekspertë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri si: delegacioni i BE, Banka Botërore, OSBE, “Westminster Democratic Foundation”, NDI, Këshilli i Evropës, përfaqësues të Ambasadës Franceze, ekspertë të huaj dhe shqiptarë nga diaspora.

Prof. Dr. Aurela Anastasi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, bëri një prezantim të rekomandimeve të bëra për funksionin ligjvënës; Dr.Emilio Çika, pedagog pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti Mesdhetar, paraqiti disa rekomandime për funksionin mbikëqyrës, koordinues dhe monitorues të Kuvendit duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, si dhe funksionin zgjedhës; Ph.D Mariel Frroku, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës për fushën e efektivitetit të veprimtarisë së Kuvendit të Shqipërisë, transparencën dhe llogaridhënien e tij; si dhe Prof.Asoc.Dr. Nadia Rusi, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, për mbrojtjen dhe garantimin e të Drejtave Themelore të Njeriut.

Pas prezantimeve, komisioni caktoi relatorët për secilën prej shtyllave në mënyrë që pas shqyrtimit të draft-analizës, të vijohet me finalizimin dhe miratimin e saj nga ana e Komisionit të Posaçëm Parlamentar.

Më pas mbledhja vijoi me informimin mbi procesin për hartimin e draftit të Planit Kombëtar të Veprimit, metodologjinë e ndjekur dhe propozimet kryesore që janë identifikuar nga ekspertët në këtë fazë të II-të të këtij procesi për secilin prej komponentëve; si dhe mbi forumet e dialogut me qytetarët të zhvilluara dhe ato të programuara për periudhën në vazhdim.