Forumet e Dialogut me Qytetarët, mbahet takimi në Vlorë për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit

Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit për Shqipërinë 2030 në BE”, zhvilloi në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës forumin e tretë të dialogut me qytetarët dhe grupet e interesit për konsultimin e draftit të Dokumentit Analitik me arritjet, gjetjet dhe rekomandimet e dala nga grupet e ekspertëve për tre shtyllat: Mirëqeverisje, Antikorrupsion dhe Sundimi i Ligjit.

Prof.Dr. Migena Leskoviku bëri prezantimin në emër të grupit të ekspertëve të Shtyllës I – Mirëqeverisja, duke theksuar rëndësinë e reformave për të ndërtuar institucione sa më efektive, të përgjegjshme dhe transparente, që mund të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe shtetin e së drejtës, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE. Qeverisja e Hapur konsiderohet si një kulturë qeverisjeje e bazuar në politika dhe praktika publike inovative dhe të qëndrueshme të frymëzuara nga parimet e transparencës, integritetit, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes që nxit demokracinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Ekspertja u ndal në shtyllën e Mirëqeverisjes e ndarë në pesë komponentë/kapituj në bazë të të cilëve është organizuar analiza për këtë shtyllë: Transparenca në administratën publike; Integriteti dhe etika në administratën publike; Llogaridhënia e institucioneve të pushtetit qendror dhe vendor; Ofrimi i shërbimeve të digjitalizuara; Efektiviteti dhe transparenca në menaxhimin e financave publike. Për secilin prej këtyre kapitujve u evidentua progresi, gjetjet kryesore, problematikat dhe çështjet për adresim, dhe disa nga rekomandimet kryesore. Gjithashtu, ekspertja prezantoi tezat kryesore për diskutim publik që lidhen me Mirëqeverisjen.

Për shtyllën e Antikorrupsionit u bë prezantimi nga Prof.Dr. Nada Dollani, duke u ndalur në pesë komponetët e kësaj shtylle: Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit politik; parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit në administratën qendrore dhe vendore, me fokus në sektorët me risk të lartë; Funksionimi dhe efiçenca e institucioneve që luftojnë korrupsionin, konfliktin e interesit dhe abuzimin me financat publike; Parandalimi i financimeve të paligjshme dhe pastrimit të parave; Ndërtimi i një shoqërie me integritet. Pas prezantimit nga ekspertja të gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore, u trajtuan edhe tezat kryesore për konsultim publik të kësaj shtylle.

Anëtarja e Komisionit të Posaçëm, znj.Milva Ekonomi, bëri një përmbledhje të punës së Komisionit të Posaçëm, rëndësinë e momentit për nisjen e një procesi të thellë reformimi për të përgatitur shoqërinë për procesin integrimin në BE, forumet e dialogut me qytetarët për paraqitjen e draftit të Dokumentit Analitik, i cili do të konsultohet edhe me ekspertë shqiptarë e të huaj dhe me institucione ndërkombëtare.

Më pas, përmes një bashkëbisedimi me të pranishmit, grupi i ekspertëve dhe znj. Ekonomi iu përgjigjën pyetjeve dhe komenteve të bëra nga audienca, duke e konsideruar me rëndësi këtë proces të konsultimit me grupet e interesit dhe për efekt të ndërgjegjësimit lidhur me misionin dhe rëndësinë e punës së këtij komisioni të posaçëm parlamentar, në kuadër të rritjes së fokusit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, përmirësimin e mëtejshëm dhe konsolidimit të praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, fuqizimin e luftës ndaj korrupsionit, si dhe forcimin e shtetit të së drejtës.