“Komisioni i Posaçëm e përmbushi qëllimin”, Xhafaj takim me gazetarët: Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit janë dorëzuar në Kuvend

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, ka dalë sot në një konferencë për mediat në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni, si dhe për të bërë një bilanc të punës së realizuar deri më tani. Në nisje të takimit, Xhafaj kujtoi se e ka filluar drejtimin e këtij komisioni me një bashkëbisedim me gazetarët për të bërë publike qëllimin e ngritjes së komisionit dhe në fund të mandatit ndien detyrimin për ta përmbyllur me po me një bashkëbisedim me gazetarët, në funksion të transparencës me ta dhe me qytetarët. Xhafaj theksoi se ky Komision i Posaçëm e ka përmbushur qëllimin e ngritjes së tij ndonëse pati një mandat të kufizuar me vetëm 14 muaj dhe me periudhën elektorale në mes.

Më poshtë fjala e tij e plotë.

Dëshiroj ta nis këtë komunikim me një falënderim për ju, gazetarët dhe operatorët që keni ardhur, ndonëse jemi në një kohë pushimesh e temperaturash të larta.

Faleminderit për prezencën dhe interesimin që keni treguar në vijimësi për punën e Komisionit të Posaçëm për Mirëqëverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit.

Komunikimi i sotëm me ju dhe publikun është në funksion të transparencës së punës së bërë deri më tani, por përkon gjithashtu edhe me mbylljen e mandatit të veprimtarisë të këtij komisioni që siç e dini është data 30 korrik 2025 gjë që përkon edhe me mbarimin e sesionit dhe legjislaturës aktuale parlamentare.

E kemi filluar nisjen e punës së këtij komisioni me një bashkëbisedim me ju gazetarët për të bërë publike qëllimin e ngritjes së këtij komisioni dhe në fund të mandatit të tij ndjej detyrimin për ta përmbyllur me këtë bashkëbisedim, në funksion të transparencës me ju dhe me qytetarët.

Ndonëse e gjithë veprimtaria e këtij komisioni ka qenë publike, deri në detaje përmes faqes sonë të dedikuar këtij komisioni web masl.al, përfshi këtu mbledhjet, tryezat, forumet dhe çdo vendim që është marrë, natyrshëm mendoj se lipset të bëjmë një lloj bilanci të këtyre 14 muajve.

Për këtë jam këtu sot dhe sigurisht për t’ju përgjigjur pyetjeve tuaja për çështje që kanë të bëjnë me aktivitetin dhe angazhimin e këtij komisioni.

A E PËRMBUSHI KOMISIONI QËLLIMIN?

Kjo është një pyetje e natyrshme që mund ta shtrojnë shumë njerëz sot pas 14 muajsh. Ne mendojmë që PO, pa asnjë hezitim. Ky Komision i Posaçëm Parlamentar ia doli, edhe pse me një mandat të kufizuar dhe periudhë zgjedhjesh në mes.

KPP me dokumentat e hartuara dhe të miratuara adresoj një sërë poblematikash dhe VENDOSI piketa të qarta aq të domosdoshme për përballjen me 3 sfida kyç të zhvillimit, Mirëqëverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Ashtu si dhe nga ana tjetër përmes këtyre dokumentave qartësoj përgjegjësitë për një rol më aktiv të Kuvendit në procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE dhe reformimin e vet Kuvendit, nisur kjo edhe nga konteksti i zhvillimeve të integrimit europian të Shqipërisë dhe reflektimet ligjore dhe institucionale me sfidat në kuadër të këtij procesi.

Metodologjia e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, është një ndër më të plotat dhe më të qartat për të garantuar transparencën, gjithëpërfshirjen dhe profesionalizmin, duke i dhënë Kuvendit mundësinë që këtë përvojë të krijuar, këtë model tashmë të realizuar nëpërmjet veprimtarisë së këtij Komisioni, t’a aplikojë në të gjitha proceset e tjera të ngjashme, në përmbushje edhe të rekomandimeve të vazhdueshme për këtë aspekt në raportet e Progresit të KE-së.

Gjithë ky proces i ndërtuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar është mbështetur dhe ka garantuar 4 parime themelore që janë: Gjithëpërfshirja, Transparenca, Profesionalizmi dhe Standardet më të mira ndërkombëtare.

Synimi kryesor i KPP-së ka qënë dhe besoj se ja kemi arritur përmes metodologjisë së zbatuar që i gjithë ky proces në vetvehte dhe veçanërisht dokumentat që janë hartuar së bashku me propozimet përkatëse të garantojnë standarte europiane si dhe reflektimin në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe kriteret për pozicionet negociuese.

IMPAKTI, VLERAT DHE RISITË E KËTIJ KOMISIONI

Impakti i punës së këtij Komisioni është i shumëanshëm.

Nga njëra anë në drejtim të forcimit të rolit të Kuvendit në përmbushjen e detyrimeve gjatë negociatave dhe në vetë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe nga ana tjetër në thellimin e reformave për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit që përbëjnë sfidat kryesore të forcimit të demokracisë dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës.

Ky proces ka mundur të dëshmoj disa arritje të dallueshme që në këndvështrimin tonë përbëjnë risi dhe vlera të këtij procesi kompleks.

1.Për herë të dytë në këto 10 vite, Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në hapësirën kushtetuese e institucionale për realizimin e një tjetër reforme shtetndërtuese që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës por që i shërben edhe procesit të anëtarësimit për Shqipërinë2030 në BE. Vështirë të gjeni një shembull të dytë, në rajon dhe më gjerë, të ndërmarrjes me inisiativë nga vende kandidate për BE, të projekteve të tilla kaq komplekse, përfshirëse dhe me ambicien e fortë për ndryshim.

2.Përfshirje e gjerë e të gjithë faktorëve kyç të shoqërisë: institucione shtetërore, institucione e agjenci të pavarura, bota akademike, shoqëria civile, komuniteti i biznesit, profesionistë të fushave përkatëse dhe vetë qytetarëve është një tjetër risi e këtij procesi. Kjo e bën këtë një projekt kompleks për nga koordinimi dhe realizimi, por që përbën njëherësh edhe një model se si duhet të ndërtohen reforma të tilla duke shkuar nga analiza e situatës – te identifikimi i gjetjeve dhe adresimin e masave për zgjidhje – te procesi ligjvënës – dhe pastaj te zbatimi e monitorimi. Kjo është një reflektim edhe ndaj kritikave dhe rekomandimeve të BE në këtë fushë për Kuvendin në disa raporte të vitit të fundit.

3.Ky proces ishte një kontribut tjetër me vlerë edhe në një aspekt tjetër me rëndësi lidhur me integrimin dhe imazhin e vendit. Një dëshmi e rritjes së vendit e institucioneve të tij edhe në një këndvështrim tjetër duke provuar se tashmë ne kemi kapacitetet për të ndërmarrë hapa të tilla, që vende të ngjashme me ne nuk kanë pasur kurajon t’i ndërmarrin. Krahas reformës në drejtësi ky është një tjetër proces që dëshmon fort se vendi ynë ka edhe një pasuri të madhe intelektuale e profesionale, brenda vendit dhe jashtë nga diaspora jonë, kudo nëpër botë dhe ne patëm vizionin dhe aftësinë ti bëjmë bashkë të gjithë në tryezën e punës.

GENL ka në përbërje të vet rreth 119 ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ndër të cilët 69 janë ekspertë kombëtarë, 19 nga diaspora dhe 31 janë ekspertë ndërkombëtarë. Rreth 40 % e ekspertëve të GENL janë me tituj e grada shkencore dhe pothuajse të gjithë kanë pasur eksperienca konkrete dhe publikime shkencore të mëparshme në fushën e ekspertizës.

Nga 69 ekspertë kombëtarë, 12 ekspertë janë përcaktuar nga Institucionet e agjensitë e pavarura (Avokati i Popullit, ILDKPKI, Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave etj), 22 ekspertë nga bota akademike (profesorati i fakulteteve të drejtësisë, ekonomisë, finacave e menaxhimit), 23 ekspertë të propozuar drejtpërdrejt nga 21 organizata të shoqërisë civile, të angazhuara me kontribute aktive në këto fusha si dhe 12 ekspertë nga organizatat përfaqësuese të komunitetit të biznesit.

Pranë GENL kontribuan si konsulentë të jashtëm edhe 19 ekspertë shqiptarë nga diaspora. Prania e tyre është një mundësi për ta zgjeruar rrethin e përfshirjes së ekspertizës, por dhe të vet grupeve të interesit si edhe për të sjellë një oponencë tjetër me këndvështrime të ndryshme nga realiteti aktual shqiptar.

4.Ne hartuam dhe miratuam një analizë, një dokument analitik prej rreth 700 faqesh, i pari dokument i këtij lloji që mban autorësinë e ekspertizës shqiptare. Analiza bën një skanim të situatës aktuale në 3 fushat, mbështetur në raportet përkatëse zyrtare të viteve të fundit, vendase dhe ndërkombëtare dhe kryesisht në gjetjet, vleresimet, problematikat dhe rekomandimet e Raporteve të BE dhe dokumentave ku shteti shqiptar ka shprehur angazhimet e tij në kuadër të procesit të integrimit.

5.Plani Kombëtar i Veprimit përbën një tjetër vlerë dhe risi të këtij procesi. Kjo sepse nuk kemi hartuar thjesht një strategji me objektiva të synuara, por bazuar në gjetjet e problematikat e identifikuara nga analiza janë adresuar e dhënë zgjidhje konkrete të shoqëruara gjithashtu me masa për veprime konkrete nga Kuvendi, Komisionet dhe strukturat e tij përmes dy funksioneve themelore kushtetuese të tij, procesit ligjbërës dhe mbikëqyrjes e konktrollit.

Ky Plan Veprimi i fokusuar në këto 3 sfida kyce të zhvillimit i)Mirëqeverisja, ii)Antikorrupsioni dhe iii)Sundimi i ligjit është një dokument unik i këtij lloji në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë gjatë këtyre dekadave të demokracisë parlamentare në vendin tonë.

6.Ky proces nuk mund të konsiderohej i plotë, pa realizimin e një procesi intensiv të konsultimit publik për të gjitha fazat e proceseve të hartimit të dy dokumentave. Vetëm në interes të informimit tuaj dhe të publikut po përmënd disa prej tyre: kemi zhvilluar 11 tryeza debati dhe diskutimi me të gjithë aktorët për aspektet e 3 shtyllave të dokumentit analitik, në të cilën kanë marrë pjesë rreth 1100 pjesëmarrës; 8 forume “Dialogu qytetar” jashtë Tiranës në procesin ligjvënës qytetet qëndra universitare me akademikë, studentë, shoqëri civile dhe komuniteti i biznesit; 2 konferenca të nivelit të lartë për prezantimin e Analizës dhe Planit kombëtar të Veprimit, 3 tryeza debati me rreth 350 pjesëmarrës nga të gjithë aktorët brenda dhe jashtë vendit. Janë shqyrtuar në mënyrë transparente dhe janë adresuar 351 komente nga konsultimet publike, 50 ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë janë angazhuar në drejtimin e tryezave të konsultimit publik dhe prezantimin e gjetjeve dhe masave të dokumentave të hartuar prej grupit më të gjërë të ekspertëve, dhe shumë të tjera si këto, etj.

DY DOKUMENTE BAZË I JANE DORËZUAR KUVENDIT

Në këto 14 muaj, komisioni ka përmbyllur dy fazat e para të tij dhe i ka dorëzuar Kuvendit dy dokumente parlamentare bazë:

1.Dokumenti Analitik- analiza për të tre shtyllat (Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit.
dhe
2. Plani Kombëtar i Veprimit.

Por çfarë përfaqësojnë këto dokumenta në thelbin e tyre?

Dokumenti Analitik

Dokumenti Analitik për të tre fushat; mirëqeverisja, antikorrupsioni dhe sundimi i ligjit, është një dokument me 709 faqe dhe trajton të gjitha aspektet në 18 kapituj. Struktura e analizës është e organizuar në mënyrë të tillë që për çdo çështje të ofrohet një pasqyrë e situatës aktuale, duke shqyrtuar masat ligjore dhe institucionale të zbatuara. Për përgatitjen e kësaj analize, Ekspertët e Nivelit të Lartë kanë skanuar dhe analizuar mbi 15.000 faqe dokumenta, analiza e raporte të ndryshme. Dokumenti analitik i miratuar si dhe përmbledhjet ekzekutive të ndarë sipas 3 fushave gjenden të publikuar në faqen e KPP-së.

Plani Kombëtar i Veprimit

Plani Kombëtar i Veprimit është një dokument që përcakton masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, të cilat synojnë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, në kuadër të procesit të negociatave të antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, me fokus kryesor, thellimin e reformave me hapa konkretë për qeverisjen e mirë, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit.

Plani kombëtar i veprimit përmban 56 fusha tematike të cilat adresojnë çështjet kryesore me 238 masa konkrete, nga të cilat 78 janë nisma ligjore dhe 160 masa institucionale. Dokumenti është konsultuar me të gjithë aktorët institucionalë si dhe grupin e negociatorëve për të kryer vlerësimin e përputhshmërisë së këtij dokumenti me angazhimet konkrete të shtetit shqiptar në kuadër të negociatave si dhe rekomandimeve të dhëna në këtë proces nga BE-ja gjatë procesit të negociatave.

Këto janë dy dokumente të rëndësishëm parlamentar, produkt i punës së komisionit. Ndërkohë që kemi hapur rrugën edhe për zbatimin e masave ligjore dhe institucionale të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit. Ashtu siç bëmë jo më larg se dje në diskutimin dhe konsultimin publik të dy projektligjeve si masa institucionale të propozuara në Planin Kombëtar të veprimit të shtyllës antikorrupsion dhe siç do bëjmë me procesin që pason.

ÇFARË NDODH MË TEJ?

Mbështetur në Vendimin Nr.26, Datë 26.02.2025 të Kuvendit, më 30 Korrik përmbyllet afati për veprimtarinë e këtij Komisioni të Posacëm Parlamentar.

Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit të miratuar e të publikuar në faqen e komisionit, përbëjnë dokumenta parlamentare me rëndësi dhe janë pjesë e përgjegjësive dhe angazhimit të strukturave të Kuvendit në fushat respektive.

Në Planin Kombëtar të Veprimit, një ndër masat që është vlerësuar nga ekspertiza e angazhuar, vendase dhe ajo ndërkombëtare, është parashikimi i mekanizmave të monitorimit të zbatimit të masave në këtë dokument, me qëllim që të mos mbetet një plan në letër por të sjellë rezultatet e pritshme të cilat janë të matshme dhe me indikatorë konkret, për thellimin e reformave në tre shtyllat kryesore.

Bazuar edhe në diskutimet e deritanishme, mbështetur në Rezolutën e Kuvendit, por edhe në masat e propozuara në Planin Kombëtar të Veprimit, është e nevojshme që një Komision ose një nënkomision parlamentar i përhershëm ose një strukturë në nivel institucional që do gjykohet nga parlamenti, të vijojë veprimtarinë e tij.

Kjo për të vijuar me fazën e tretë të hartimit dhe miratimit të projektligjeve të identifikuara si masa nga Plani Kombëtar i Veprimit si pjesë e listës prioritare të ligjeve ashtu si dhe me vijimin e punës për realizimin e detyrës për kapitullin “III.3 – Konsolidimi i reformës në drejtësi”.

Dokumenti analitik e vecanërisht Plani Kombëtar i Veprimit bashkëngjitur janë dokumenta parlamentare me vlera të shumëanshme, efekti shumë pozitiv i të cilave do të përcaktohet nga shkalla e angazhimit për zbatimin e tij nga Kuvendi dhe strukturat e tij në legjislaturën e ardhshme 2025 – 2029 në funksion të ambicies sonë legjitime – Shqipëria2030 në BE.

Në finale dua të falënderoj kolegët deputetë pjesëmarrës në këtë komision, Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, Sekretariatin Teknik, stafin e Kuvendit dhe të gjithë aktorët që kanë marrë pjesë aktivisht në proceset e konsultimit dhe diskutimit, vendas dhe ndërkombëtar, përfaqësues të institucioneve publike, institucioneve të pavarura, shoqërisë civile, botën akademike, komuniteti i biznesit, qytetarë, që janë angazhuar në këtë proces dhe natyrisht ju gazetarët e lirë të medias që keni përcjellë mbledhjet tona dhe jeni përpjekur të pasqyroni me realizëm punën që është bërë.