Komisioni i Posaçëm miraton Dokumentin Analitik për Sundimin e Ligjit, propozimet e ekspertëve për transparencën e Kuvendit, problemin e pronave dhe zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit zhvilloi sot mbledhjen e radhës për miratimin në parim të Dokumentit Analitik për shtyllën e Sundimit të Ligjit, i përgatitur nga Grupi i ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Të ftuar për prezantimin e gjetjeve kryesore dhe masave të Planit Kombëtar të Veprimit, si dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve ishin anëtarët e GENL: Prof. Dr. Aurela Anastasi, pegadoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Prof. As. Dr. Nadia Rusi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, z. Oltjon Dano, përfaqësues i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, Phd. Mariel Frroku, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, z. Gledis Gjipali nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), znj.Ina Xhepa nga Qendra për Zhvillim dhe Integrim Europian (CEDI), Dr. Emilio Çika, pegagog në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë, z.Alket Jaupi, përfaqësues nga Avokati i Popullit, znj. Besa Velaj dhe znj. Elona Hoxhaj, përfaqësuese nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në nisje të mbledhjes, kryetari i komisionit, z. Fatmir Xhafaj bëri edhe një sqarim për të shmangur siç tha ai keqkuptimet apo deformimet e krijuara nga mbledhja e mëparshme.

“Nisur nga disa keqinterpretime dhe deformime që ju bënë nga disa media, dokumentave dhe debateve në mbledhjen e kaluar po lexoj lëndën e cështjeve që përmban ky dokument. Sot këtu jemi për shtyllën III – sundimin e ligjit dhe do flasim për reformimin e Kuvendit, për funksionet e tij, ligjvënënien, rolin mbikëqyrës dhe monitorues; flasim për efektivitetin, transparencën dhe llogaridhënien e Kuvendit dhe deputetëve të tij, flasim për zgjedhjen e titullarëve të institucioneve të pavarura duke nënkuptuar me to një sërë institucionesh të pavarura që formohen/emërohen nga Kuvendi dhe japin llogari, raportojnë po në Kuvend. Flasim për mbrojtjen dhe respektimin e mekanizmave garantues të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtës së pronës, për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtës për informim dhe të dhënave personale, për institucionet e pavarura për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si edhe për edukimin ligjor të publikut. Kjo është lënda që kemi ne këtu për shqyrtim dhe që ka të bëjë me një sërë cështjesh me shumë interes për qytetarin”, tha Z.Xhafaj.

Ai theksoi se dokumentet analitike i janë nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi si dhe konsulencës ndërkombëtare të atashuar pranë këtij komisioni dhe reflektojnë qartë angazhimet dhe rekomandimet e BE-së në kuadër të procesit të integrimit. Z.Xhafaj informoi se kapitulli i 3, i Shtyllës së “Sundimit të Ligjit” që lidhet me “konsolidimin e Reformës në Drejtësi” do të shqyrtohet në një fazë të mëvonshme pasi të ketë përfunduar draftimi i dokumentit nga ekspertët e GENL.

Deputeti Z.Toni Gogu, në cilësinë e relatorit për shtyllën e Sundimit të Ligjit, foli për analizën e ekspertëve dhe punën e bërë prej tyre në kuadër të këtij procesi të ndërmarrë nga Kuvendi.

“Ky nuk është një raport teknik i zakonshëm. Ky është një udhërrëfyes për ndryshimin, një dokument që synon të bëjë shtetin më të drejtë, më transparent dhe më të besueshëm për qytetarët. Është puna e të paktën 70 ekspertëve. Një punë që ka zgjatur për 8 muaj duke analizuar çdo aspekt të sundimit të ligjit dhe duke propozuar zgjidhje konkrete”, tha Z. Gogu duke theksuar se ligjet që bën Kuvendi duhet të jenë më të qarta dhe të shpjegohet impakti i tyre për qytetarët.

Kuvendi transparent dhe më i përgjegjshëm, çfarë propozojnë ndër të tjera ekspertët në draft Planin e Veprimit?

 Digjitalizimi i të gjithë procesit ligjbërës, krijimi i një sistemi elektronik që i lejon qytetarët të ndjekin në kohë reale se cilat ligje po diskutohen dhe të japin mendimin e tyre.

 Përmirësimi i mekanizmit të raportimit të deputetëve, që qytetarët të kenë informacion të qartë për punën e tyre.

 Zhvillimi i një platforme online për peticionet qytetare, ku çdo qytetar mund të propozojë një çështje që kërkon të diskutohet në Kuvend.

Komponenti i dytë është se si mund të mbrohen të drejtat e qytetarëve duke parë këtu problemet me të drejtat e pronës që është një nga shqetësimet më të mëdha për qytetarët.

Sa i përket pronave, propozimet e ekspertëve fokusohen në:

 Përfundimin e regjistrimit fillestar të të gjitha pronave në Shqipëri deri në vitin 2030, njëherë e mirë.

 Përdorimin e teknologjisë Blockchain, për të siguruar transparencë dhe siguri të plotë mbi të dhënat e pronave.

 Përshpejtimin e procesit të kompensimit të pronave të shpronësuara, duke krijuar një sistem më transparent dhe të digjitalizuar.

 Rritjen e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale sipas standardeve evropiane.

Një fokus të veçantë në rekomandimet e ekspertëve lidhet me nevojën e forcimit të institucioneve që mbikëqyrin dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve si Avokati i Popullit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Dokumenti Analitik për Shtyllën e “Sundimit të Ligjit” është konsultuar me institucione të pavarura dhe ekzekutivin, organizatat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues nga bota akademike dhe biznesi, ekspertë dhe përfaqësues nga: Delegacioni i BE, OPDAT, Banka Botërore, OSBE, ËFD, NDI, Këshilli i Evropës, 3 ekspertë ndërkombëtar nga universiteti i Salentos/Itali dhe Universiteti “Ëashington and Lee”/SHBA si edhe 12 ekspertë shqiptarë të diasporës; gjyqtarë e prokurorë pedagogë të Shkollës së Magjistraturës etj. Të gjitha komentet e përcjella nga procesi i konsultimit të spjeguar më sipër, janë shqyrtuar dhe adresuar nga ekspertët e GENL, në hartimin e draftit final të dokumentit.

Z.Gogu nënvizoi se gjetjet dhe rekomandimet e Dokumentit Analitik do të shërbejnë për të ndërtuar Planin Kombëtar të Veprimit, i cili do të përkthehet në ndryshime ligjore dhe masa konkrete që do të zbatohen nga institucionet, si dhe theksoi nevojën e pjesëmarrjes më të madhe të qytetarëve dhe aktorëve të shoqërisë në procesin e vendimmarrjes.

Plani i Veprimit për Shtyllën e Sundimit të Ligjit, si draft i parë, ka në total 31 fusha tematike me 99 masa specifike, ku për Kapitullin e të Drejtave të Njeriut ka në total 22 Fusha tematike me 60 masa specifike, ndërsa në kapitullin e funksioneve të Kuvendit ka në total: 9 Fusha tematike me 39 masa specifike.

Më pas grupi i ekspertëve iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur masat e sugjeruara për rritjen e konsultimit publik dhe përmirësimit të cilësisë së procesit legjislativ, propozimin për rishikimin e ligjit për partitë politike, mundësinë e krijimit të trupave vlerësuese sa më gjithëpërfshirëse, të cilat të mund të jenë pjesë e procesit të zgjedhjes së drejtuesve të institucioneve të pavarura, mekanizmat për rritjen e eficencës së Kuvendit dhe komisioneve parlamentare, rritjen jo vetëm të transparencës por dhe llogaridhënies së deputetëve, gjetjen e mekanizmave detyrues për edukimin ligjor, mekanizmat për të garantuar funksionin monitorues të Kuvendit në procesin mbikëqyrës së raportimeve të institucioneve të pavarura, si dhe në ushtrimin e funksionit kontrollues ndaj qeverisë etj.

Sa i përket ligjit për partitë politike, kryetari Xhafaj u shpreh se vërtet ky është një ligj i vjetër në kohë dhe në disa aspekte është pengesë por rishikimi i tij duhej parë në përputhje me objektin e qëllimit të komisionit. Lidhur me eficencën e Kuvendit, ai pyeti ekspertët nëse ka të bëjë me eficencën apo jo numri i deputetëve në raport me numrin e zgjedhësve, sistemin zgjedhor në fuqi apo ndoshta dhe kufizimit të mandatit, në mënyrë që të mos këtë deputetë të përjetshëm për aq kohë sa nuk votohen direkt nga qytetarët me këtë sistem elektoral.

Në vijim, ai shtroi për diskutim edhe propozimin mbi krijimin një kuorumi publik më të gjerë, me disa trupa mbi zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura, duke sjellë si shembull vonesat në zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Për këto çështje ekspertët ndanë me anëtarët e Komisionit, mendime dhe modele të ndryshme si ai francez, kroat etj.

Pas diskutimeve, Komisioni i Posaçëm miratoi në parim Dokumentin Analitik për Shtyllën e “Sundimit të Ligjit”.

Gjithashtu, Komisioni i Posaçëm miratoi dhe kërkesën e paraqitur nga znj. Lefterije Luzi, drejtuese e Sekretariatit Teknik për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtij Komisioni, deri më datën 30 korrik 2025, për t’iu lënë kohë në dispozicion ekspertëve të reflektojnë sugjerimet dhe komentet e përftuara gjatë diskutimeve teknike për përfundimin e Planit Kombëtar të Veprimit për të tre shtyllat. Kërkesa e miratuar nga komisioni i posaçëm, do i kalojë për shqyrtim, Konferencës së Kryetarëve dhe seancës plenare.