Komisioni i Posaçëm miraton Planin Kombëtar të Veprimit

U mblodh Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, miratohen Planin Kombëtar të Veprimit

Nën drejtimin e kryetarit, z.Fatmir Xhafaj, u zhvillua mbledhja e radhës e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.

Mbledhja shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në veprimtarinë e këtij komisioni me miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit (PKV).

Pas miratimit të procesverbaleve të mëparshme, mbledhja vijoi me prezantimin e procesit dhe metodologjisë së punës për hartimin e Draft-Planit Kombëtar të Veprimit nga znj. Besarta Vladi, koordinatore e Sekretariatit Teknik të ngritur pranë komisionit të posaçëm. Znj.Vladi informoi mbi procesin gjithëpërfshirës e transparent të konsultimit publik dhe trajtimin e rreth 160 komenteve të ardhura nga aktorë të ndryshëm si institucionet publike, grupet e interesit, shoqëria civile, bota akademike përfshirë edhe vlerësimet e komentet e ekspertëve vendas e ndërkombëtarë si dhe të Grupit të negociatorëve të angazhuar me procesin e negociatave me BE etj.

Znj.Vladi theksoi se PKV do të shërbejë parasëgjithash për fuqizimin e kontributit dhe rolit aktiv të Kuvendit në forcimin e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimin e ligjit në përputhje me përcaktimet e bëra në Rezolutën e Kuvendit. Gjithashtu prioritet kryesor i PKV-së është edhe forcimi i rolit të Kuvendit në procesin e negociatave, veçanërisht në fushat e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit. Dokumenti përcakton masa konkrete për rritjen e kapaciteteve institucionale, përmirësmin e procesit të ligjvënies si dhe monitorimin efektiv të procesit të integrimit.

Komisioni Europian ka theksuar se viti 2025 duhet të konsiderohet edhe si viti i “Themelorëve”, ku Shqipëria duhet të plotësojë piketat e ndërmjetme (interim benchmarks) në Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, liria dhe siguria”, dhe kjo gjendet e reflektuar në masat e parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit, përsa i përket angazhimeve në këto 3 shtylla e më specifikisht në shtyllën e III – Sundimi i ligjit.

Si rrjedhojë, një pjesë e mirë e masave shkojnë në drejtim të hartimit dhe miratimit të akteve ligjore që iniciohen nga Kuvendi dhe që janë pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e negociatave (piketat hapëse, të ndërmjetëme, si dhe piketat mbyllëse), si dhe rritjes së angazhimit dhe ngritjes së kapaciteteve të Kuvendit për të ndjekur dhe monitoruar procesin e negociatave me BE.

Në përmbyllje të mbledhjes, z. Xhafaj bëri një përmbledhje të punës njëvjeçare të komisionit duke theksuar se “përmes këtij procesi është synuar: i) Forcimi i rolit aktiv të vet Parlamentit në përmbushjen e kritereve, rekomandimeve dhe standardeve që lidhen me procesin e negociatave; ii)Sigurimin përmes rolit të Parlamentit që të gjitha institucionet shtetërore të përmbushin me të njëjtin ritëm detyrimet e negociatave me BE-në; iii)Përfshirja aktive e të gjithë aktorëve politikë dhe jo-politikë të mundshëm në adresimin e këtyre tre sfidave të mëdha; iv)Një qasje të re përmes rolit udhëheqës të Parlamentit në thellimin e reformave antikorrupsion dhe sundimin e ligjit si faktorë kyç për të garantuar një qeverisje më të mirë për qytetarët.

Parlamenti i Shqipërisë, nëpërmjet aktivitetit të këtij Komisioni ad-hoc, procesit të realizuar dhe dokumentave të miratuara prej tij, ka synuar jo vetëm t’i ofrojë vlerë të shtuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda 2030, por edhe të ushtrojë me përgjegjësi funksionet e tij kushtetuese, bazuar dhe në Rregulloren e Parlamentit, lidhur me rolin e tij ligjvënës si dhe me përgjegjësitë kushtetuese në monitorimin dhe mbikëqyrjen ndaj ekzekutivit, institucioneve të pavarura dhe agjencive të tjera shtetërore përgjegjëse për fusha të ndryshme.

Ky është një proces që e nderon Kuvendin e Shqipërisë, që dëshmon vizionin, vullnetin dhe aftësinë tonë për të ndërmarrë reforma dhe procese të këtyre përmasave, por njëherësh dëshmon edhe vullnetin e shkallën e përgatitjes sonë për anëtarësim në BE”.

Ai informoi se me miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit përmbyllen dy fazat e para të procesit dhe tashmë nis faza e tretë, që përfshin hartimin e projektligjeve për zbatimin konkret të masave të përcaktuara në PKV.

Ai bëri të ditur gjithashtu se me vendimmarrjen e mëparshme për miratimin e dy grupeve të punës, ka nisur procesi për hartimin e dy projektligjeve kyçe në kuadër të masave antikorrupsion: projektligjit “Për konfliktin e interesit” dhe projektligji “Për financimin e partive politike” Këto projektligje do draftohen nga grupe pune të ekspertëve të GENL & ST, stafit të Kuvendit dhe ekspertëve të angazhuar nga institucone të pavarura si ILDKPKI dhe KQZ. Ky proces do mbështetet edhe me asistencën e ekspertëve të Këshillit të Europës. Z.Xhafaj vlerësoi këto iniciativa edhe si pjesë të rëndësishme të përmbushjes së detyrimeve të Kuvendit në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.