Komisioni i Posaçëm Parlamentar MASL miraton 4 vendime të natyrës organizative

Në drejtimin e kryetarit, z.Fatmir Xhafaj, më datë 21 qershor 2024 zhvillua mbledhja e dytë e komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Anëtarët e komisionit, përfaqësues të opozitës, nuk morën pjesë në mbledhje. Në nisje të mbledhjes, z.Xhafaj u shpreh i keqardhur për mospjesëmarrjen e opozitës në punimet e komisionit dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve politikë dhe jo politikë, në këtë proces reformues për të ardhmen e vendit.

Komisioni i vijoi punimet sipas rendit të ditës, ku pas informimit të anëtarëve me punën e bërë për zbatimin e vendimmarrjes së mbledhjes së kaluar, kryetari, z. Fatmir Xhafaj i propozoi komisionit për vendimmarrje 4 vendime të natyrës përgatitore, organizative për përgatitjen e procesit dhe hapave të mëtejshëm që do të ndiqen. Vendimet u miratuan nga anëtarët e pranishëm në mbledhje dhe më pas u vijua me diskutimin teknik të platformës së komunikimit publik për pasqyrimin e veprimtarisë, si dhe ndërveprimit me ekspertët dhe opinionin publik mbi tre shtyllat kryesore të punës së komisionit.

Vendimet e mbledhjes janë si më poshtë vijon:
– Ftesë publike për bashkëpunim për Organizatat ndërkombëtare që veprojnë brenda dhe jashtë vendit, si dhe për individët, ekspertët vendas e ndërkombëtarë, si dhe për shtetas shqiptarë me përvojë në fushat përkatëse, për të kontribuar me ekspertizën e tyre në përmbushje të qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar;

– Përfaqësimin e disa Institucioneve që veprojnë në sektorë me risk për korrupsion (prokurimi publik, pronat, tatimet, doganat, shëndetësia, arsimi, etj.) me përfaqësues/ekspertë pranë Nëngrupit të punës për Antikorrupsion të ngritur në Komisionin e Posaçëm Parlamentar

-Miratimi i organigramës së Sekretariatit Teknik;

-Miratimi i Konceptit për ndërtimin e Faqes On-line dhe Platformës së Komunikimit publik.