Konstituohet Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin

Më datë 14 qershor 2024 u zhvillua mbledhja e parë konstituuese e komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Anëtarët e komisionit, përfaqësues të opozitës nuk morën pjesë në mbledhje. Mbledhja u drejtua nga Kryetari i Komisionit, z. Fatmir Xhafaj.
Konstituimi i komisionit u përshëndet nga Kryetarja e Kuvendit znj.Lindita Nikolla, e cila shprehu mbështetjen institucionale për përmbushjen me sukses të objektivave dhe qëllimeve të komisionit të posaçëm parlamentar, për të cilin theksoi se ka një mision të rëndësishëm kombëtar.

“Ky mision është i lidhur me përgjegjësitë që Kuvendi i ka ngarkuar për të kontribuar në kurorëzimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëpërmjet ngritjes në një nivel më të lartë cilësor të mirëqeverisjes, luftës kundër korrupsionit dhe zbatimit të ligjeve. Jam këtu për t’ju garantuar se Komisioni do të ketë mbështetjen e plotë institucionale të Kuvendit dhe timen si Kryetare. Jo rastësisht, nënvizova dimensionin kombëtar të misionit dhe veprimtarisë së Komisionit. Si një strukturë parlamentare që drejton një proces parlamentar, Komisioni nuk ka asnjë ngarkesë politike dhe asnjë interes partikularist a partiak”, u shpreh znj.Nikolla duke theksuar nevojën e pjesëmarrjes së opozitës në komision dhe kontributit për avancimin dhe thellimin e reformave për vendin.

“Është detyra jonë të lexojmë me kujdes përvojën e zbatimit të reformave gjatë dekadës së fundit, dhe t’i propozojmë Kuvendit dhe qytetarëve shqiptarë ndryshime ligjore dhe institucionale, në mënyrë që të gjithë sektorët e qeverisjes të ecin përpara me ritmet që kërkon koha, Shqipëria euroatlantike, qytetarët dhe partnerët tanë strategjikë. Demokracia mund të ndërtohet vetëm si një demokraci nën ligj dhe duke garantuar pavarësinë e degëve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të qeverisjes. Zhvillimi dhe reformat kanë nevojë për impulse të reja, ritme më të shpejta dhe procese më përfshirës. Ne jemi këtu të bëjmë detyrën dhe t’u përgjigjemi thirrjeve të të sotmes dhe të ardhmes së Shqipërisë”, u shpreh znj.Nikolla.

Në nisje të mbledhjes Kryetari i Komisionit, z. Fatmir Xhafaj, parashtroi se Vendimi i Kuvendit për funksionimin e komisionit të posaçëm ka të përcaktuar qartë objektin, fushën e veprimit, instrumentet dhe mekanizmat e funksionimit, duke nxjerrë qartësisht detyrimin për adresimin e disa sfidave të rëndësishme në interes të qytetarëve, në funksion të procesit të integrimit europian të vendit dhe synimit madhor për të qenë vend anëtarë në BE në vitin 2030. “Kam bindjen se do të jetë një proces gjithëpërfshirës në rrafshin politik, institucional dhe social. Në këtë kontekst, roli i opozitës është tejet i rëndësishëm. Pjesëmarrja e saj në këtë proces është me rëndësi për qëllimet që do të adresojë kjo reformë”, u shpreh z.Xhafaj duke theksuar se komisioni do të synojë të adresojë çështje jetike për qytetarët dhe të ardhmen e vendit, çështje që shkojnë përtej interesit të partive politike, pasi i shërbejnë forcimit dhe modernizimit të shtetit dhe të ardhmes së vendit. Z. Xhafaj nënvizoi se procesi do të duhet të ecë përpara, duke qenë gjithëpërfshirës, transparent, institucional, me përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, duke përfshirë biznesin, botën akademike, grupet e interesit, siç ndodhi me Reformën në Drejtësi.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Elisa Spiropali, në fjalën e saj theksoi se kjo strukturë e re parlamentare do të jetë një hapësirë gjithëpërfshirëse, që i mundësohet Kuvendit nga Kushtetuta dhe kuadri ligjor në fuqi, i cili duhet përdorur si një tregues i vullnetit politik dhe institucional të Shqipërisë, pa dallime partiake, për një cikël të ri reformimi në funksion të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit si domosdoshmëri për mbërritjen e objektivit strategjik kombëtar të anëtarësimit në BE brenda vitit 2030.

Pas konstituimit të komisionit të posaçëm parlamentar, Kryetari, z. Fatmir Xhafaj i propozoi komisionit për vendimmarrje 5 vendime të natyrës përgatitore, organizative për përgatitjen e procesit dhe hapave të mëtejshëm që do të ndiqen. Vendimet u miratuan me unanimitet nga anëtarët e pranishëm në mbledhje.

Vendimet e miratuara janë si më poshtë vijon:
1.Me qëllim për të siguruar efektivitet sa më të mirë të veprimtarisë së komisionit në përmbushje të misionit të tij duke mbajtur në konsideratë kohën në dispozicion për ushtrimin e mandatit të komisionit, anëtarët e tij dhe grupi i ekspertëve, sikundër është parashtruar në Vendimin nr.50 të Kuvendit do të organizohen në tre nëngrupe që do të angazhohen për tre fushat kryesore të veprimtarisë së këtij komisioni. Ekspertët do të angazhohen në nëngrupe në funksion të temave përkatëse që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimit të planit kombëtar të veprimit, si dhe propozimin e marrjes së masave përkatëse legjislative dhe institucionale. Nëngrupet kryesore janë: 1) mirëqëverisja, 2) antikorrupsioni dhe 3)sundimi i ligjit.

2. T’iu drejtohet ftesë për bashkëpunim organizatave të shoqërisë civile, biznesit, botës akademike, universiteteve publike dhe jopublike, Akademisë së Shkencave dhe grupeve të interesit, për të shprehur interesin e tyre për përfshirjen në nivel ekspertësh dhe si pjesë e Sekretariatit Teknik në tryezat e debatit publik që do të organizohen, si dhe për të kontribuar me të dhëna të ndryshme, me analiza, strategji, plane veprimi, etj., për fushat që lidhen me qëllimin dhe objektin e veprimtarisë së këtij komisioni.

3. T’iu drejtohet kërkesë institucioneve të pavarura, që krijohen nga Kuvendi, si: Avokati i Popullit, KLSH, Komisioni i Prokurimit Publik, ILDKPKI, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Autoriteti i Konkurrencës, INSTAT për të propozuar përfaqësuesit, ekspertë të tyre, që do të kontriubuojnë me ekspertizë e tyre në grupet e punës pranë komisionit të posaçëm parlamentar, si dhe t’iu drejtohet agjencive ekzekutive ligjzbatuese si: Agjencia e Inteligjencës Financiare, Drejtoria e Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, Drejtoria e Antikorrupsionit dhe Standardeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtoria e Investigimit të Brendshëm Antikorrupsion në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për krimin ekonomik, njësitë për parandalimin e pastrimit të parave , Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion, Inspektoriati Qendror dhe Drejtoria e Autidimit që është në Këshill të Ministrave, Agjencia e Prokurimeve Publike, etj, për të propozuar përfaqësuesit e tyre për të kontribuar dhe bashkëpunuar me eskpertizën e tyre në grupet e punës për hartimin e analizës dhe më pas të planit të veprimit.

4.Ti kërkohet Kuvendit, Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Ministres së Shtetit për Integrimin Europian, Ministrit të Shtetit për Qeverisjen Vendore, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera shtetërore që të mundësojnë që këshilltarë dhe specialistë pranë stafeve të tyre, të përshtatshëm për qëllimin dhe objektin e punës së këtij komisioni, të mund të bëhen pjesë e Sekretariatit Teknik, i cili do të funksionojë në mbështetje të grupit të ekspertëve pranë komisionit të posaçëm.

5. T’i kërkohet Kuvendit, Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Ministres së Shtetit për Integrimin Europian, Ministrit të Shtetit për Qeverisjen Vendore, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, që të vënë në dispozicion të grupit të punës të ekspertëve dhe Sekretariatit Teknik dokumente pune, analiza, strategji, plane veprime dhe të dhëna të ndryshme që shërbejnë për përmbushjen e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni.