Ligj të ri për parandalimin e konfliktit të interesave, ekspertët mblidhen në Kuvend për tryezën e parë të konsultimit publik

U zhvillua tryeza e parë e konsultimit publik për draftimin e projektligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i cili po përgatitet nga një grup pune i përbërë nga Ekspertë të GENL dhe Sekretariatit Teknik të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Ekspertët po mbështeten me asistencë nga ekspertë të Këshillit të Europës.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga pushteti qëndror, institucionet publike, organizata të shoqërisë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertë të fushës. Në nisje të mbledhjes, Kryetari i Komisionit të Posaçëm, z.Fatmir Xhafaj e vlerësoi procesin si një hap të domosdoshëm për të përforcuar integritetin institucional dhe për të përmbushur detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit evropian.

Z. Xhafaj theksoi rëndësinë që procesi të mos jetë thjesht formal apo i përshpejtuar në mënyrë mekanike, por të jetë një proces ku të ndërthuren profilizimet e institucioneve dhe atyre që preken nga ky projektligj. Në përfundim, z.Xhafaj vlerësoi mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht OSBE dhe Këshillin e Europës që kanë kontribuar në procesin e hartimit të ligjit.

Më pas Prof.Dr.Migena Leskoviku, përfaqësuese e GENL bëri një prezantim të draftit të projektligjit, për të cilin ekspertët i janë referuar propozimit të ILDKPI-së të vitit 2021, rekomandimeve të dhëna nga ekspertët e OSBE dhe Këshillit të Europës, kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare, rekomandimeve të dhëna nga BE, KE dhe GRECO, si edhe praktikat më të mira në këtë fushë.

Fillimisht znj.Leskoviku bëri një prezantim të sugjerimeve të ardhura së fundmi nga Komisioni Europian, të cilat do të reflektohen në vijim për efekt të përditësimit të këtij drafti të parë.

Znj.Leskoviku parashtroi se qëllimi primar i pasjes së një ligji të ri është thjeshtimi i detyrave të të gjithë zyrtarëve dhe institucioneve përgjegjëse, por edhe zvogëlimin e numrit të veprimeve që kërkohen prej tyre, për ta bërë ligjin e ri më të qartë, më të kuptueshëm, lehtësimin në zbatimin praktik të tij, si dhe zgjidhjen e problematikave të hasura në zbatimin e kuadrit aktual ligjor.

“Ne jemi përpjekur që dispozitat e këtij ligji të jenë në linjë me pjesën tjetër të legjislacionit në fuqi, përfshirë dhe ligjin e fundit 124/2024 ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale’”, theksoi znj.Leskoviku, duke sqaruar më tej se ndërhyrjet kryesore janë: konflikti i interesit, përkufizimi i termave “persona të lidhur me zyrtarin” dhe “persona të tjerë të lidhur”, format e shfaqjes së konfliktit të interesit, interesi privat, etj.
Më pas znj.Leskoviku bëri një përmbledhje të parashikimeve të çdo kreu, duke nënvizuar se për formulimin e shumë ndërhyrjeve në legjislacionin aktual janë sugjerimet e ekspertëve të Këshillit të Europës.

Më pas z. Redi Ametllari, nga IDM Albania, znj.Aranita Brahaj, Eksperte AIS / Open Data Albania, z. Klajdi Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë, znj. Juelda Lamçe, Këshilltare Ligjore e Kabinetit në SPAK, z. Besnik Dervishaj, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z.Besfor Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm, znj. Silvana Ramadani, këshilltare e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Ministrit të Shtetit z. Aldo Merkoçi, këshilltar i Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, znj. Violeta Lekaj, përfaqësuese e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, znj. Agnes Behrnhard, Drejtuese e projektit “JustAl” të BE-së, znj. Mirela Miti, eksperte e GENL, z. Vildan Plepi, përfaqësues i NDI dhanë sugjerimet dhe komente për përmirësimin e draftit për përfshirjen e subjekteve, qartësimin e ligjit dhe harmonizimin e tij me ligje të tjera sikurse është ai mbi deklarimin dhe kontrollin e pasurive të funksionarëve publikë, etj.

Në përfundim të mbledhjes, z.Xhafaj informoi mbi hapat e ardhëm të procesit pas reflektimit të të gjitha komenteve dhe sugjerimeve nga pjesëmarrësit, si dhe nga eksperti i Këshillit të Europës.