MASL miraton përbërjen e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe Sekretariatit Teknik

Nën drejtimin e kryetarit, z.Fatmir Xhafaj, më datë 26.07.2024 u zhvillua mbledhja e radhës e komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Anëtarët e komisionit, përfaqësues të opozitës, nuk morën pjesë në mbledhje.
Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 19 korrik 2024, komisioni mori në shqyrtim projektvendimin “Për miratimin e përbërjes dhe drejtimit të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe Sekretariatit Teknik”.

Gjatë parashtrimit të projektvendimit, z.Xhafaj vlerësoi se ka pasur një reagim shumë pozitiv nga të gjitha institucionet e pavarura, agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, shoqëria civile, bota akademike dhe e biznesit, të cilëve iu është dërguar ftesë për bashkëpunim dhe pjesëmarrje në këtë proces.

Përveç ekspertëve dhe profesionistëve të propozuar nga institucionet shtetërore, janë dërguar një numër i madh dokumentash, raporte ndërkombëtare dhe të organizatave të shoqërisë civile për tre fushat objekt veprimi të komisionit: i) mirëqëverisja, ii) antikorrupsioni dhe iii)sundimi i ligjit. Këto dokumente do të jenë pjesë e punës së ekspertëve dhe Sekretariatin Teknik, të cilët do të punojnë mbi Dokumentit Analitik dhe më pas Planin e veprimit.

Pas diskutimeve dhe sugjerimeve të ndryshme komisioni miratoi projektvendimin, i cili ndër të tjera vendos miratimin e regjistrit me emrat e propozuar të ekspertëve dhe Sekretariatit Teknik; përbërjen e Nëngrupeve e GENL-së, të organizuara sipas 3 fushave të objektit të veprimtarisë së këtij komisioni propozuar nga institucionet e pavarura, shoqëria civile, universitetet publike e jo publike, si dhe komuniteti i biznesit; përbërjen dhe drejtimin e Sekretariatit Teknik, të cilët do të funksionojnë në mbështetje të Nëngrupeve të GENL-së si dhe listën e ekspertëve dhe profesionistëve të propozuar nga institucionet shtetërore, të cilët do të atashohen dhe do të përfshihen në këtë proces në mbështetje të Grupit të Ekspertëve.