MASL miraton tre vendime: Kërkesë për ekspertë grupeve parlamentare të opozitës, ftesë për bashkëpunim organizatave ndërkombëtare dhe mediave

Nën drejtimin e kryetarit, z. Fatmir Xhafaj, më datë 10 korrik 2024 u zhvillua mbledhja e tretë e komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Anëtarët e komisionit, përfaqësues të opozitës, nuk morën pjesë në mbledhje. Komisioni i vijoi punimet sipas rendit të ditës të njoftuar paraprakisht gjithë deputetëve, të mazhorancës dhe opozitës, anëtarë të komisionit sipas përcaktimit të Vendimit nr.20/2024 të Kuvendit. Fillimisht kryetari i komisionit z.Fatmir Xhafaj fillimisht informoi mbi punën e bërë për zbatimin e vendimmarrjes së mbledhjes së mëparshme të datës 21 qershor 2024.

Ndër të tjera z. Xhafaj u ndal tek ftesa publike për bashkëpunim drejtuar organizatave ndërkombëtare që veprojnë brenda dhe jashtë vendit, me përvojë për ofrimin e asistencës dhe ekspertizën në 3 fushat objekt pune të këtij komisioni, si dhe kërkesën për bashkëpunim drejtuar institucioneve publike të cilat drejtojnë sektorë me risk të lartë për korrupsion (shëndetësi, arsim, kadastra, prokurime, koncesione, tatime, dogana, etj.) nga të cilat kanë ardhur përgjigje për caktimin e përfaqësuesve të tyre dhe dokumentacioni përkatës që do të shqyrtohen nga ekspertët gjatë procesit të analizës.

“Në zbatim të vendimeve të këtij komisioni u kemi dërguar rreth 15 ftesa për bashkëpunim organizatave të shoqërisë civile, 8 universiteteve publike dhe jopublike, 8 organizatave përfaqësuese të komunitetit të biznesit, 10 institucioneve të pavarura, 10 agjencive ligjzbatuese dhe ndërkohë janë përgatitur ftesat për rreth 10 organizata ndërkombëtare dhe misione të asistencës që veprojnë në Shqipëri dhe jashtë vendit me ftesën për tu përfshirë në këtë proces”, detajoi z.Xhafaj.

Më pas z.Xhafaj i propozoi komisionit për vendimmarrje 3 vendime të natyrës organizative, të cilat u miratuan nga anëtarët e pranishëm në mbledhje.

Më konkretisht:
Vendimi i parë lidhet me kërkesën drejtuar grupeve parlamentare të opozitës të regjistruara në Kuvend, për propozimin e përfaqësuesve/ekspertëve pranë 3 nëngrupeve të punës së ngritur në Komisionin e Posaçëm Parlamentar si dhe në Sekretariatin teknik.

Vendimi i dytë lidhet me dërgimin e një ftese për bashkëpunim drejtuar të gjithë institucioneve, organeve dhe organizatave që veprojnë brenda sistemit të drejtësisë dhe ushtrojnë funksione në fushën e drejtësisë, për përfaqësimin me ekspertë/profesionistë pranë Grupit të Ekspertëve. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve do të krijojnë Nëngrupin e ekspertëve dhe do të angazhohen në hartimin e analizës për sundimin e ligjit në fushën e drejtësisë, hartimin e planit përkatës të veprimit, si dhe do të sugjerojë propozimet për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale. Ftesa për bashkëpunim do ju drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK, Shkollës së Magjistraturës dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Vendimi i tretë lidhet me dërgimin e një ftese publike për bashkëpunim organeve të medias audiovizive, medias së shkruar, medias online dhe asaj elektronike, të cilat kanë në fokus të angazhimit të tyre trajtimin e çështjeve që lidhen me 3 fushat kryesore objekt pune të komisionit, për shprehjen e interesit në përfshirje aktive në aktivitetin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar si dhe pranë Grupit të Ekspertëve, për të ofruar kontributet e mundshme të tyre në këtë proces.