Mbahet takimi i nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE-Rruga e reformave”

Nën kujdesin e veçantë të Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, Kuvendi i Shqipërisë organizoi takimin e nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE-Rruga e reformave”.

Në takim morën pjesë Kryeministri z. Edi Rama, Ambasadori i BE në Tiranë, Sh. T. Z. Silvio Gonzato, e Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn, ministra, përfaqësues të trupit diplomatik dhe partnerëve ndërkombëtarë, anëtarë të Komisionit të Posaçëm, deputetë, përfaqësues nga institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese, shoqëria civile, ekspertë të Nivelit të Lartë të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm, etj.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, nënvizoi rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të reformave zhvillimore e demokratizuese, si kushte të domosdoshme për të përcaktuar përgjegjësitë për procesin transformues integrues të Shqipërisë, i cili është i pandalshëm tashmë.

“Identifikimi hap pas hapi i elementëve të këtij procesi, ku Kuvendi i Shqipërisë ka një rol kyç, shndërrimi i tyre në plane të detajuara dhe konsolidimi për këtë veprimtari merr një rëndësi të posaçme pas mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri dhe pas çeljes së negociatave për grupkapitujt e parë “Themeloret”, vendi ynë ka hyrë në një stad të ri të anëtarësimit, një stacion drejt objektivit strategjik kombëtar anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh znj. Spiropali.

Kryeparlamentarja znj.Spiropali nënvizoi arritjet e deritanishme dhe se stadi arritur kërkon më shumë përgjegjshmëri, si dhe apeloi për pjesëmarrjen e opozitës në këtë proces transformues për vendin. “Nuk besoj se ka forcë politike apo personazhe politike që të jetë kundër ambicies shqiptare për integrim të plotë në Bashkimin Evropian, sepse vokacioni ynë popullor dhe kombëtar është i tillë. Debati ynë është për rrugët, mjetet apo dhe mënyrën sesi realizohet ky proces. Ne besojmë se po bëjmë më të mirën, ne jemi të bindur se po bëjmë gjënë e duhur. Kjo është sipërmarrje ku askush nuk është i përjashtuar, askush nuk është i tepërt. Faktet na japin të drejtë. Përfundimi me sukses i procesit “screening”, si një ushtrim i vështirë, por rezultativ për të gjithë ne, na solli në stadin më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit, në zhvillimin e negociatave”, u shpreh znj.Spiropali, duke nënvizuar se përtej dilemave apo debateve publike është e pamohueshme fakti që anëtarësimi në Bashkimin Europian do të jetë një proces i bazuar në meritë.

Znj.Spiropali vlerësoi se realizimi i objektivit strategjik kombëtar për integrimin në BE, ka shtruar detyra të reja, të cilat burojnë edhe nga ligji i ri mbi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian, përfshirë ndryshimet në këtë ligj në Mars 2023, të cilat synojnë që Kuvendi t’u përgjigjet më mirë nevojave dhe sfidave të këtij procesi.

“Kuvendi do të vijojë të udhëheqë me vendosmëri procesin e anëtarësimit, për të garantuar legjitimitetin demokratik dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Përballimi me sukses i sfidave të negociatave kërkon rritjen e rolit kontrollues të Kuvendit, posaçërisht të Komisionit për Çështjet Europiane, Këshillit Kombëtar të Integrimit por jo vetëm, është domosdoshmëri që përmbushja e kritereve të vendosura për hapjen dhe mbylljen e grup-kapitujve, monitorimin e ecurisë së procesit në bashkëpunim me grupet e interesit dhe shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë jo politikë si edhe informimi i publikut mbi ecurinë e negociatave”, u shpreh znj.Spiropali.

Kryeministri, z.Edi Rama, në fjalën e tij vlerësoi se është përmbyllur një fazë e parë shumë e rëndësishme themelore për zbatimin e planit për integrimin europian në BE dhe nënvizoi se Kuvendi i është i vetmi institucion që ka të drejtën dhe detyrën për të garantuar që avancimi i vendit drejt përfundimit të negociatave me BE të jetë uniformë.
“Puna e bërë dhe dokumenti analitik prej 700 faqesh janë pjesë e gjysmës së dytë të këtij viti, ndërkohë që gjysma e parë e vitit është konsumuar me frymën e skepticizmit të dyshimeve dhe kundërshtive pa diskutim edhe të akuzave po këto janë një element që nuk dua ta përfshij”, theksoi Kryeministri Rama.

Kryeministri u ndal tek Reforma në Drejtësi dhe rezultatet e saj, mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen që i kanë dhënë, si dhe nënvizoi se ambicia mbetet që Shqipëria t’i përfundojë të gjitha detyrat e procesit integrues brenda vitit 2027.

“Pa forcën udhëheqëse të Reformës në Drejtësi dhe bindjen absolute dhe vullnetin e hekurt të PS jo Amerika, jo Europa, por të gjithë të tjerët të bëheshin bashkë nuk do ta kishin bërë të mundur reformën në drejtësi. Pa mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë kjo reformë do të kishte pasur një rrugë komplet tjetër dhe do të ishte e pamundur. Ne nuk kemi kohë as për të humbur as për të pritur ata”, u shpreh Kryeministri Rama.

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, z. Fatmir Xhafaj në fjalën e tij u ndal tek puna e bërë për ndërtimin e një procesi reformimi shumë dimensional, të mbështetur në 4 parime të rëndësishme: gjithëpërfshirje, transparencë, profesionalizëm dhe standarde më të mira ndërkombëtare.
Z. Xhafaj theksoi se tashmë Kuvendi po shndërrohet për herë të dytë në hapësirë kushtetuese e institucionale dhe promotor për inicimin, organizimin dhe realizimin e dy reformave të mëdha shtet ndërtuese. “Fillimisht me Reformën në Drejtësi të nisur plot 10 vjet më parë, sot një realitet i prekshëm dhe më se i vlerësuar pozitivisht dhe tashmë gjatë këtij viti me këtë reformë kaq komplekse që synon 3 sfida kyçe. Ky është një tregues shumë domethënës që dëshmon pjekurinë e demokracisë sonë, shprehje e përgjegjësisë dhe rolit reformator të Kuvendit edhe për shkak të peshës e funksioneve kushtetuese që mbart në republikën tonë parlamentare”, u shpreh z. Xhafaj duke nënvizuar më tej rëndësinë e përfshirjes në këtë proces reformimi e një sërë faktorësh kyç të shoqërisë shqiptare, për të krijuar një sinergji të përbashkët në përmbushjen e objektivit madhorë të integrimit evropian të vendit.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, z.Silvio Gonzato, u shpreh se Shqipëria ka një mundësi historike dhe perspektiva për tu bërë anëtare e BE është reale. Ambasadori vlerësoi se Shqipëria është angazhuar qartë që të vazhdojë dhe të forcojë pavarësinë e magjistratëve dhe sistemit të prokurorisë e gjyqësorit, për të konsoliduar llogaridhënien e integritetin në të gjitha nivelet, për të siguruar akses në drejtësi dhe të garantojë dhënie efikase të drejtësisë në përputhje me standardet e BE-së. Duke vlerësuar se është thelbësore që ekuilibrat institucionalë ekzistues dhe ndarja e pushteteve të garantuara nga Kushtetuta të respektohen plotësisht, z.Gonzato bëri të ditur se BE do të vijojë të kërkojë që në një proces të përfshihet konsultimi i të gjithë aktorëve të shoqërisë.

Znj.Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociatore e BE, vlerësoi se Shqipëria i çeli negociatat në bazë të njohjes së progresit me reformat evropiane, me çelës Reformën në Drejtësi. “Ky është çasti i transformimit tonë më dinamik drejt standardit evropian të shtetbërjes në historinë tonë moderne. Anëtarësimi në familjen evropiane kërkon një përafrim të thellë drejt kuadrit ligjor, politik, administrativ, ekonomik e shoqëror dhe mbi të gjitha institucional të Bashkimit Evropian. Ndërsa evropianizon edhe me tej institucionet në nivel qendror dhe lokal, si krijon dinamike të re zhvillimit dhe transformim në sistemin tonë ekonomik dhe tregjet, negociatat kërkojnë rezultate sinergji të arritura veçse bashkërisht në shtetin e së drejtës, institucionet demokratike, administratën publike, dhe në qeverisjen e aspiratës evropiane”, u shpreh znj.Dhuka.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, vlerësoi se Shqipëria është kthyer në një lider rajonal në fushën e reformës së administratës publike të forcuar tashmë në drejtim të organizimit të politikave, të forcimit të sistemit të menaxhimit financiar, por dhe në drejtim të ofrimit të shërbimeve digjitale me efektivitet. Përtej rrugëtimit të deritanishëm, znj.Pirdeni nënvizoi se momenti i krijuar kërkon gjithpërfshirje drejt ngritjes së një standardi më të lartë në drejtim të qeverisjes së mirë, të luftës së pakompromistë kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Përfaqësuesja e shoqërisë civile, Eksperte e Nivelit të Lartë e atashuar pranë Komisionit të Posaçëm, znj. Eda Noçka, nënvizoi se analiza e bërë në të gjithë komponentët e tre shtyllave është një punë thellësisht profesionale e mbështetur mbi dokumente zyrtare të institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave prestigjioze që monitorojnë vendin tonë, si dhe theksoi rëndësinë e kontributit të shoqërisë civile në këtë proces transformues për vendin.