Projekti ynë dhe përgjegjësia jonë për të konsoliduar demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri

Projekti ynë dhe përgjegjësia jonë për të konsoliduar demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri

Fjala e kryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, z.Fatmir Xhafaj, në takimin “Shqipëria 2030 në BE- Rruga e Reformave”

Të nderuar miq dhe kolegë!

Të dashur qytetarë!

Më 27 Maj të këtij viti Kuvendi miratoi Rezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” dhe mbi bazën e saj Vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar që synon të jetësojë frymën dhe qëllimet e larta të kësaj rezolute.

Në këta pak muaj kemi arritur të ndërtojmë një proces reformimi shumë dimensional, të mbështetur në 4 parime të rëndësishme: gjithëpërfshirje, transparencë, profesionalizëm dhe strandardet më të mira ndërkombëtare.

Kemi zgjedhur rrugën më të gjatë e më të vështirë, por besojmë më të sigurt për të marrë rezultatin e pritshëm, duke realizuar një proces i cili kalon përmes nevojës për analizë, skanim e diagnostikim të situatës, përcaktim të nevojave për ndërhyrje përmes masash ligjore, strukturore e institucionale dhe më pas për konkretizimin e realizmin e tyre.

Kanë kaluar vetëm 6 muaj dhe ne sot, mund të theksojmë disa aspekte kyçe që në këndvështrimin tim, përbëjnë dhe risi të këtij procesi kompleks.

1.Së pari. Në këto 10 vjet Kuvendi për herë të dytë bëhet hapësira kushtetuese e institucionale dhe promotori për inicimin, organizimin dhe realizimin e dy reformave të mëdha shtetndërtuese. Fillimisht me reformën në drejtësi të nisur plot 10 vjet më parë, sot një realitet i prekshëm dhe mëse i vlerësuar pozitivisht dhe tashmë gjatë këtij viti me këtë reformë kaq komplekse që synon 3 sfida kyc. Ky është një tregues shumë domethënës që dëshmon pjekurinë e demokracisë sonë, shprehje e përgjegjësisë dhe rolit reformator të Kuvendit edhe për shkak të peshës e funksioneve kushtetuese që mbart në republikën tonë parlamentare.

2.Së dyti. Është pozitive dhe kuptimplote përfshirja në këtë proces reformimi e një sërë faktorësh kyç të shoqërisë shqiptare: institucione shtetërore, institucione e agjenci të pavarura, bota akademike, shoqëria civile, komuniteti i biznesit, profesionistë të fushave përkatëse dhe vetë qytetarëve. Ky është një tregues i pjekurisë demokratike të të gjithë faktorëve të jetës shoqërore që pavarësisht këndvështrimeve që kanë, pozicionit mbështetës apo kritik ndaj qeverisjes sonë gjejnë forcat të bashkojnë energjitë e tyre në një përpjekje të përbashkët, në interes të vendit. Një mesazh i fortë i nevojës që kemi për procese të tilla gjithëpërfshirëse, për të krijuar një sinergji të përbashkët në përmbushjen e objektivave madhorë të shoqërisë siç janë integrimi evropian i vendit, nevoja për një qeverisje të mirë, forcimi i sundimit të ligjit dhe parandalimi e lufta kundër korrupsionit.

3.Së treti. Mbas reformës në drejtësi ky është një tjetër proces që dëshmon fort se vendi ynë ka edhe një pasuri të madhe intelektuale e profesionale. Ne duhet të jemi krenarë që kemi kapacitete të tilla midis nesh, një ekspertizë të standarteve evropiane, e aftë për të ndërmarrë e përballuar reforma të këtyre përmasave, kaq komplekse dhe me pritshmëri të larta.

Rreth 70 ekspertë të nivelit të lartë, të propozuar nga vetë Institucionet e pavarura, bota akademike (universitetet publike e jo publike), organizatat e shoqërisë civile dhe komuniteti biznesit janë angazhuar në funksion të këtij procesi, mbështetur nga një Sekretariat Teknik i bazuar kryesisht në kapacitetet e vetë Kuvendit. Rreth 35% e tyre mbajnë tituj shkencorë, rreth 30% janë pedagogë të fushës të së drejtës dhe ekonomisë, 40% ekspertë/përfaqësues të rreth 22 organizatave të shoqërisë civile dhe mbi 90% e ekspertëve kanë mbi 10 vjet përvojë ekspertize në këto fusha etj.

4.Së katërti. Ne këtë proces janë angazhuar edhe mbi 40 ekspertë ndërkombëtarë si konsulentë të jashtëm pranë GENL dhe rreth gjysma e tyre janë shtetas shqiptarë në diasporë, që shërbejnë si pedagogë, kërkues shkencorë ose në fushën e zbatimit të ligjit në vende të ndryshme të botës dhe një pjesë e tyre të angazhuar si ekspertë ndërkombëtarë në vende të tjera. Një tregues ky në rritje i cilësisë së diasporës shqiptare, i një pasurie të jashtëzakonshme intelektuale që duhet integruar shumë më mirë me burimet e pasura intelektuale, shkencore e profesionale brenda vendit.

5.Së pesti. Ne jemi në përmbyllje të analizës, një Dokument Analitik prej rreth 700 faqesh i cili bën një skanim të situatës aktuale në 3 fushat, mbështetur në raportet përkatëse zyrtare të viteve të fundit, vendase dhe ndërkombëtare dhe kryesisht në gjetjet, vleresimet, problematikat dhe rekomandimet e Raporteve të BE dhe dokumentave ku shteti shqiptar ka shprehur angazhimet e tij në kuadër të procesit të integrimit. Është i pari Dokument Analitik i këtij lloji që mban autorësinë e ekspertizës shqiptare.

Këto risi mjaft domethënëse dhe të tjera që kam bindjen se do të shpërfaq ky proces në muajt në vijim janë një dëshmi e qartë e vlerave të shumëanshme të këtij procesi reformues.

Tashmë ne jemi në fazën e konsultimit të draft Dokumentit Analitik të përgatitur nga ekspertët. Janë organizuar 11 tryeza tematike në përputhje me komponentët kryesorë të kësaj analize, të cilat janë prezantuar nga vetë ekspertët dhe nën moderimin e kolegëve të tyre. Në to kanë marrë pjesë rreth 600 profesionistë të fushës e përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe agjencive të pavarura si dhe të shoqërisë civile e grupeve të interesit dhe rreth 100 vetë kanë shprehur lirisht pikëpamjet e tyre duke dhënë edhe një sërë rekomandimesh me vlerë që do të reflektohen në draftin përkatës po nga vetë ekspertët që kanë punuar me to.

Sot filluam një cikël tjetër konsultimi – Forumet e Dialogut Qytetar. Ato do të zhvillohen në territor, në qendra qarqesh dhe kryesisht në mjediset universitare për të bashkëbiseduar e dialoguar reth temave që kanë interes prioritar për qytetarët në fushën e qeverisjes qendrore e vendore, luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, se si i shohin qytetarët, grupet e interesit dhe veçanërisht të rinjtë e të rejat çështje të tilla dhe se çfarë ata mendojnë se mund të bëhet më mirë në këto fusha në aspektin legjislativ dhe ekzekutiv.

Ndërkohë sapo kemi filluar punën për hartimin e draftit të parë për Planin Kombëtar të Veprimit mbështetur në gjetjet dhe përfundimet e analizës së zhvilluar. Një proces që do të realizohet po nga grupet e ekspertëve të angazhuar në hartimin e Dokumentit Analitik mbështetur edhe në strategjitë e angazhimet ndërkombëtare të shtetit shqiptar, si dhe duke ju dhënë rrugë një sërë rekomandimeve e masave konkrete të përcaktuara nga BE. Një pjesë e rëndësishme e tyre angazhojnë me përgjegjësi Kuvendin në rolin e tij ligjvënës, monitorues e mbikëqyrës, por edhe si pushteti ku mund të koordinohen e bashkëveprojnë më mirë në këtë proces edhe pushtetet e institucionet e tjera të këtij shteti duke respektuar në çdo hap parimin e qartë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve në Republikën tonë parlamentare.

E kjo falë të gjithë atyre që inicuan e i dhanë udhë këtij “procesi të ri refomash të mëdha” siç e thekson edhe Progres raporti më i fundit i BE.

Ndaj është sot momenti për t’i shprehur falenderimet më të mira kolegëve të mi deputetë, anëtarë të KPP, si dhe stafit të Kuvendit të angazhuar në këtë proces, të cilët krahas angazhimeve të mëdha të përditshme parlamentare kanë një bërë punë të jashtëzakonshme për ta lehtësuar e mbështetur punën e grupit të ekspertëve duke respektuar në çdo hap profesionalizmin, integritetin dhe lirinë e tyre në procesin e debatit dhe hartimin e dokumentave përkatës.

Një falenderim të veçantë për Kryenegociatoren dhe ekipin e negociatorëve si dhe të gjithë institucionet e pavarura dhe agjensit ekzekutive për bashkëpunimin shumë profesional në këtë proces përmes ekspertëve, dokumentave e të dhënave të vëna në dispozicion.

Dëshiroj gjithashtu t’ju shpreh falenderimet e mia përfaqësuesve në vendin tonë të partnerëve tanë strategjikë BE dhe SHBA, Ambasadorit Gonzato dhe të Ngarkuarve me punë z.Wisner fillimisht e tashmë znj.VanHorn për mbështetjen dhe këshillat e vlefshme në nisje të këtij projekti dhe tashmë me asistencën, monitorimin dhe ekspertizën e atashuar gjatë këtij procesi. Gjithashtu një falenderim të veçantë edhe përfaqësuesve dhe ekspertëve të angazhuar nga KiE, OSBE, Banka Botërore, USAID, NDI, PNUD, Ambasadat e Francës, Zvicrës, Suedisë etj.

Natyrisht falenderimi dhe mirënjohja më e madhe ju shkon të gjithë ekspertëve dhe profesionistëve pjesë e GENL dhe ST për mirëkuptimin e treguar, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm duke punuar shumë prej tyre edhe gjatë verës dhe në ditë pushimi.

Shumicën prej jush personalisht nuk i kam njohur më parë. Sot mund t’ju them se jemi me fat që kemi mundësinë t’ju njohim nga afër dhe të bashkëpunojmë me ju. Mirënjohje për përkushtimin, seriozitetin dhe profesionalizmin e dëshmuar! Faleminderit për shërbimin që jeni duke i bërë vendit dhe të ardhmes së tij!

Të dashur miq!

Kur e nisëm këtë proces, më shumë se një vit më parë, fillimisht na u desh te qartësoheshim me vehten, brenda nesh si maxhorancë. I kujtoj ende takimet dhe debatet e shpeshta nën drejtimin e Kryeministrit Rama për tu dakortësuar më së pari midis nesh për hedhjen e këtij hapi, për ti dhënë rrugë këtij procesi të ri reformash.

Një projekt që u shoqërua, si përher me hezitime e mëdyshje dhe më pas edhe me një spekulim të shfrenuar mbi qëllimet e tij, ende pa u bërë publik qoftë edhe një dokument i vetëm.

Koha po provon dhe do provoj çdo ditë e më shumë krejtësisht të kundërtën ashtu sikundër ndodhi e ndodh ende ca më shumë me reformën në drejtësi.

Kjo sepse, si edhe me reformën në drejtësi, ne jemi angazhuar të ndërtojmë një projekt që ka në themel guximin për të sfiduar status quo-në, vizionin afatgjatë, përkushtimin ndaj njerëzve dhe lidershipin për të drejtuar përpjekjet për transformime të reja shtetndërtuese në vendin tonë.

Duke u përballur me këto sfida që e bëjnë shtëpinë tonë, vendin tonë më të mirë natyrisht ne e bëjmë më të lehtë e më të shpejt edhe rrugën tonë për Shqipërinë 2030 në BE!

Kjo është nisma jonë, projekti ynë. Është përgjegjësia jonë përballë qytetarëve tanë, në interes të fëmijëve tanë, të ardhmes së tyre evropiane, domosdoshmërisë për të konsoliduar më tej demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Ju faleminderit!