Asistenca ndërkombëtare


  • Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL)

Komisioni I Posaçëm Parlamentar në këtë proces, do fokusohet në rolin drejtues, organizues dhe mbështetës të procesit.

Ndërsa bazuar në qasjen gjithëpërfshirëse dhe për të garantuar paanshmëri, objektivitet e profesionalizëm në këtë proces hartimi i dokumentave të parashikuar nga Rezoluta dhe Vendimi i Kuvendit si:

  1. i) Analiza, e cila do të bazohet gjerësisht në gjetjet e Raportit Screening për Grupkapitullin e Parë “Themeloret” si dhe Raportin Vjetor të Komisionit Evropian për vitin 2023;
  2. ii) Plani Kombëtar i Veprimit me masat përkatëse të cilat synojnë të detajojnë dhe koordinojnë më tej, ndër të tjera, zbatimin e zotimeve të ndërmarra në këto 3 fusha në kuadër të Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës dhe Udhërrëfyesin për Reformën në Administratën Publike;
  3. iii) Propozimi i Projektligjeve  dhe projekteve për ndryshime të mundshme institucionale do të realizohen nga Grupi i Ekspertëve të nivelit të lartë (GENL), të organizuara në 3 nëngrupe: i)Mirëqeverisja, ii)Antikorrupsioni dhe iii) Sundimi i Ligjit).

Për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës, profesional dhe në standartet më të mira ndërkombëtare grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë do të ngrihet dhe funksionojë me përfaqësues/ekspertë të propozuar nga vet institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile si edhe organizata të sipërmarrjes etj.

Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale.

Institucionet që janë pjesë e sistemit të drejtësisë do të përfaqësohen nga përfaqësuesit/ekspertët e propozuar prej vet atyre në nëngrupin e GENL të formuar posaçërisht për këtë proces dhe do te jetë po ky nëngrup që do të merret me hartimin e Analizës, Planin e Veprimit dhe Zgjidhjet/Projektaktet që do të propozohen në fazën finale të procesit. Grupi do të jetë tërësisht i pavarur në ushtrimin e detyrës, por natyrisht duke realizuar një proces gjithpërfshirës, transparent dhe tërësisht në përputhje me standartet e rekomandimet ndërkombëtare dhe i monitoruar e asistuar nga misionet e asistencës ndërkombëtare.

Numri dhe përbërja e grupit të ekspertëve miratohet me vendim të komisionit.

 

  • Asistenca ndërkombëtare dhe konsulentët e jashtëm

Ne mbetemi shumë të interesuar që i gjithë ky proces në vetvehte dhe veçanërisht dokumentat që do të miratohen dhe propozimet përkatëse ligjore të reflektojnë përvojat dhe standartet më të mira ndërkombëtare në këto fusha si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe acquis communautaire.

Kjo është arsyeja që si udhërrëfyes dhe kornizë e këtij procesi janë parashikuar dokumenta të tilla të rëndësishme tashmë të negociuara e të gjithëpranuara nga shteti shqiptar sic janë Rekomandimet e Raportit screening, Udhërrëfyesit e miratuar për shtetin e së drejtës dhe Administratën publike. Gjithashtu do të jenë pjesë e rëndësishme e dokumentave referuese për Analizën dhe Planin Kombëtar të Veprimit edhe vlerësimet e rekomandimet e raporteve të mekanizmave të Këshillit të Europës, si Moneyval dhe GRECO, DASH, Transparency International, etj të tilla.

Komisioni do të ftojë për konsultime për çështje specifike edhe agjenci dhe ekspertë të tjerë vendas duke përfshirë edhe ata që kontribuojnë jashtë vendit, kryesisht në botën akademike si dhe eskpertë ndërkombëtarë të mirënjohur në fushat përkatëse të cilët do të jenë pjesë e Grupit të Konsulentëve të jashtëm.

Komisioni i Posaçëm për të garantuar një proces sa më objektiv, në përvojën e standartet ndërkombëtare dhe plotësisht në përputhje me rekomandimet e BE do të ftojë ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, domosdoshmërisht të aleatëve tanë strategjike si Bashkimi Evropian dhe SHBA, duke krijuar mundësinë dhe pjesëmarrjen aktive të tyre përmes ekipeve të monitorimit për monitorimin e procesit dhe kontributin me asistencë teknike.

Në cilësinë e ekspertëve ndërkombëtare, komisioni do të ftojë të marrin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës, Prezencës së OSBE-së, USAID, SIDA, vendeve anëtare të BE, Mbretërisë së Bashkuar, agjensive të ndryshme të specializuara në fushat përkatëse si GRECO, OGP etj, si edhe ekspertë të huaj e shtetas shqiptarë jashtë vendit me karriera të spikatura në vendet partnere të Shqipërisë për fushat e objektit të punës së tij.

 

  • Sekretariati Teknik

Pranë Komisionit të Posaçëm, do të ngrihet dhe funksionoj një sekretariat teknik i përhershëm gjatë gjithë mandatit të komisionit, i përbërë nga stafi i Kuvendit (i cili do të kenë funksionet koordinuese të tij) si dhe persona të përzgjedhur nga rradhët e administratës publike, kryesisht nga personat e angazhuar me negociatat, por edhe ekspertë të rinj të propozuart nga institucionet e pavarura nga shoqëria civile, universitetet etj. Ata do të ftohen të kontribuojnë përkohësisht si pjesë e kësaj strukture gjatë mandatit të këtij komisioni. Sekretariati Teknik do të shërbej për të mbështetur Komisionin e Posaçëm dhe Grupet e Ekspertëve në kryerjen e detyrave të tyre. ST do të jetë gjithashtu i strukturuar në 3 nëngrupe.

  

  • Metodologjia e Punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar

Vendimi i Kuvendit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar (KPP) në zbatim të Rezolutës dhe mbështetur në frymën e normat kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit, ka përcaktuar qartë qëllimet, objektin, qasjen, metodologjin dhe standartet mbi të cilat do të ndërtohet ky proces. Standardet e zhvillimit të procesit do të jenë: i) Gjithëpërfshirja, ii) Transparenca, iii) Profesionalizmi dhe iv) reflektimi i rekomandimeve e standarteve më të mira ndërkombëtare.

Komisioni i Posaçëm, për realizimin e objektit të tij të përcaktuar si më sipër në bashkëpunim edhe me Grupin e Ekspertëve do të organizojë:

 

1.Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me:

  • Institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë;
  • Institucionet e sistemit të drejtësisë;
  • Institucionet publike të pavarura të krijuara nga Kuvendi;
  • Agjencitë ekzekutive ligjzbatuese që kanë objekt të veprimtarisë së tyre luftën ndaj korrupsionit, administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo të mbikqyrjes së tregut, të rregjistrimit e administrimit të pronës etj;
  • Ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse;
  • Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit;
  • Pedagogë e studentë;
  • Përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit etj.
  1. Mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve dhe të dhënave të nevojshme nga struktura të ndryshme shtetërore në funksion të përmbushjes së objektit të tij;
  2. Përfshirjen në këtë proces të opinionit publikdhe veçanërisht të rinisë universitare nëpërmjet hapësirave të bashkëbisedimit tematik dhe një portali online të krijuar posaçërisht për këtë qëllim, etj.