Historia dhe Mandati


Krijimi dhe miratimi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar


Kuvendi i Shqipërisë, mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Rregulloren e Kuvendit, në reflektim dhe zbatim të rekomandimeve të Progres Raportit dhe Raportit Screening të Komisionit Europian 2023, si dhe në deklaratat/rezolutat e Samitit për Demokraci të SHBA-së, më datë 27.5.2024 miratoi Rezolutën e Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. (“Rezoluta e Kuvendit”).

Në Rezolutë theksohet se Kuvendi do të sigurojë në mënyrë transparente, në dispozicion të këtij procesi, ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare (veçanërisht me partnerët strategjikë të BE-së dhe SHBA-së) dhe, përmes rregullave, procedurave e mekanizmave parlamentare të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, të cilat do të realizohen nëpërmjet një vlerësimi/analize të situatës në këto tre fusha, si dhe me hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar, për sa çmohet e nevojshme, edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.

Në zbatim të kësaj Rezolute, Kuvendi me Vendimin nr. 50, datë 30.5.2024, vendosi ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” (“Vendimi nr.50/2024” – më poshtë “Komisioni i Posaçëm Parlamentar” - KPP) dhe, me Vendimin nr. 53, datë 6.6.2024 të Kuvendit, u vendos përbërja e anëtarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar (“Vendimi nr.53/2024”).

Komisioni i Posaçëm Parlamentar (KPP) ngrihet dhe funksionon në bazë të rregullave të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit, në mënyrë të njëjtë me rregullat e komisioneve të përhershme parlamentare dhe reflekton konfigurimin e forcave politike në Kuvend, me përfshirjen e mazhorancës dhe opozitës.

Mandati i Komisionit të Posaçëm Parlamentar është me një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.

Descriptive Alt Text