Rritja e rolit mbikëqyrës të Kuvendit dhe “vettingu” për drejtuesit e institucioneve të pavarura, propozimet e ekspertëve te Komisioni i Posaçëm

“Forcimi i rolit mbikëqyrës, koordinues dhe monitorues të Kuvendit duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, si edhe përmirësimi i funksionit zgjedhës të Kuvendit duke respektuar parimet e meritokracisë, transparencës, paanshmërisë” ishte tema e tryezës së radhës së organizuar nga ekspertët e atashuar pranë Komisionit të Posaçëm, për konsultimin e draftit dhe finalizimin e Dokumentit Analitik. Nën moderimin e Dr.Emilio Çika, pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, u diskutuan gjetjet dhe sugjerimet e ekspertëve. Në takim morën pjesë përfaqësues nga universitetet publike e jopublike, shoqëria civile, institucionet e pavarura, si dhe anëtarë të Komisionit të Posaçëm. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë Komisionit nga: OPDAT, UNDP, Ambasada Franceze, Ambasada Zvicerane, EU project.

GJETJET

Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri, bëri një prezantim të sintetizuar të gjetjeve kryesore të analizës së ekspertëve të cilët vlerësojnë se kuadri ligjor për funksionimin e institucioneve të pavarura në Shqipëri përputhet me standardet ndërkombëtare, të njohura si Parimet e Parisit. Ky kuadër u mundëson institucioneve të pavarura të përmbushin detyrat e tyre, por një sërë raportesh, sugjerojnë nevojën për forcimin e mëtejshëm të mbikëqyrjes parlamentare. Sipas Raportit të Komisionit Evropian 2023 mbikëqyrja e Kuvendit mbi institucionet e pavarura është e kufizuar kryesisht në shqyrtimin e raporteve të tyre vjetore dhe në përdorimin e një platforme ndërinstitucionale online për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve, ndërkohë që sugjerohet përmirësimi i mbikëqyrjes parlamentare përmes dëgjesave më të shpeshta dhe krijimit të një kuadri të rregullt për të monitoruar veprimet e qeverisë.

Në të njëjtën kohë Komisioni Evropian thekson se mbikëqyrja parlamentare e institucioneve të pavarura shpesh është një ushtrim burokratik dhe e kufizuar në shqyrtimin e raporteve vjetore dhe se niveli i zbatimit të rekomandimeve nga auditimet e jashtme mbetet i ulët, dhe shqyrtimi parlamentar për këto çështje është ende i kufizuar.

REKOMANDIMET

Disa nga masat konkrete të eksprtëve lidhur me përmirësimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit janë:

-Shqyrtimi nga Kuvendi dhe komisionet parlamentare i raporteve vjetore të institucioneve të pavarura, duke zbatuar afatet ligjore dhe procedurat e raportimit
-zhvillimi i takimeve periodike midis Kuvendit, institucioneve të pavarura dhe qeverisë për përditësimin e platformës ndërinstitucionale online për rekomandimet e institucioneve të pavarura
-zbatimi i mekanizmit ndërinstitucional “Qeveri-Kuvend-Institucione të Pavarura” për monitorimin sistematik të rekomandimeve
-rikonfigurimi dhe zgjerimi i Platformës Ndërinstitucionale, për të përmirësuar transparencën dhe qasjen publike,si dhe shtimi i seancave dëgjimore për shqyrtimin e raporteve të institucioneve të pavarura dhe ngritja e një nënkomisioni për ndjekjen e raporteve të auditit të KLSH.

Monitorimi i zbatimit të legjislacionit të BE-së dhe legjislacionit në Shqipëri

Ekspertët vlerësojnë se Kuvendi ka krijuar një sistem gjithëpërfshirës për monitorimin e ligjeve, veçanërisht atyre që lidhen me “acquis” të BE-së, megjithatë nevojiten përmirësime në lidhje me formalizimin e kritereve të monitorimit, kohën e zbatimit të monitorimit; përmirësim të kapaciteteve të brendshme, garantimi i mbështetjes profesionale, si dhe përfshirja e ekspertëve të pavarur. Ekspertët theksojnë në analizë se rritja e bashkëpunimit midis Kuvendit dhe qeverisë, si dhe shmangia e politizimit të proceseve parlamentare, janë të nevojshme për një monitorim më efektiv.

Një komponent thelbësor i evidentuar nga ekspertët është Kontrolli Post-Legjislativ (PLS), i cili ka për qëllim vlerësimin e performancës së ligjeve pasi ato kanë qenë në fuqi për të paktën tre vjet dhe synon të sigurojë që ligjet e përafruara me acquis të BE-së të zbatohen në mënyrë efektive dhe të jenë në përputhje me standardet e kërkuara nga BE.

Sipas ekspertëve sfidat me të cilat përballet ky proces janë vonesat në dorëzimin e raporteve dhe mungesa e kritereve të qarta për përzgjedhjen e ligjeve që do të kontrollohen. Për zgjidhjen e këtyre sfidave ekspertët sugjerojnë forcimin e kapaciteteve të shërbimeve; përcaktimin e kritereve të qarta për përzgjedhjen e ligjeve që i nënshtrohet kontrollit post-legjislativ, si dhe përfshirjen e grupeve të interesit në proces.

Zgjedhja e Institucioneve të Pavarura

Ekspertët kanë vlerësuar se Shqipëria ka bërë përparime në forcimin e institucioneve të saj të pavarura, të cilat janë thelbësore për qeverisjen demokratike dhe për integrimin në Bashkimin Evropian, megjithatë, zgjedhja e drejtuesve të këtyre institucioneve shpesh është përballur me bllokime për shkak të mungesës së transparencës dhe mosmarrëveshjeve politike, gjë që ka vënë në pikëpyetje meritokracinë. Për të përmirësuar situatën, eskpertët sugjerojnë se duhet adresuar transparenca në procesin e nominimeve, përfshirë konsultimet publike dhe debatin e hapur.

Për të garantuar meritokracinë në emërimet e drejtuesve të institucioneve të pavarura, ekspertët sugjerojnë që Kuvendi duhet të propozojë një legjislacion që përcakton qartë kualifikimet për kandidatët që synojnë pozicione drejtimi në institucionet e pavarura, të cilat duhet të përfshijnë përvojë profesionale të matshme, kredenciale akademike të rëndësishme për fushën përkatëse dhe integritet të lartë, të verifikuar përmes një procesi të ngjashëm me vetingun gjyqësor. Nga ana tjetër ekspertët sugjerojnë që në seancat publike për shqyrtimin dhe vlerësimin e kandidatëve duhet lejuar që shoqëria civile, media dhe aktorët e interesuar të japin komente mbi kandidatët; krijimin e komisioneve të pavarura të përzgjedhjes për emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura do të ndihmonte në minimizimin e ndikimit politik në proces; parashikimi në legjislacion i mekanizmave zhbllokues për të zgjidhur bllokimet politike në procesin e emërimit.

DISKUTIMET

Gjatë diskutimeve z.Tomi Frashëri, Kryetar i AKEP, sugjeroi zhvillimin e seancave më të hapura dhe gjithëpërfshirëve në komisionet parlamentare përgjegjëse gjatë shqyrtimit të raportimeve periodike që zhvillojnë institucionet e pavarura, çka do të garantonte një llogaridhënie publike dhe të përgjegjshme. Më tej z.Frashëri sugjeroi krijimin e mekanizmave ndërveprues në platformën e konsultimit ndërinstitucional “Qeveri-Kuvend-Institucione të Pavarura, si dhe përfshirjen e pushtetit lokal në këtë platformë pasi në disa raste ka rol në ushtrimin e detyrimeve të disa institucioneve të pavarura dhe është pothuajse i pandërgjegjësuar për rolin që ka.

Znj.Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit solli në diskutime nevojën e rishikimit të afateve të raportimit dhe rekomandimeve që lë Kuvendi.

Znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit solli në diskutime se kriteret e përzgjedhjes dhe cilësia e kandidatëve për institucionin që drejton është e rregulluar në nivel ndëkombëtar, por duhet saksionuar që të gjitha institucionet janë 100% standardet ndërkombëtare për fushat përkatëse. Lidhur me ndikimin politik znj.Ballanca vlerësoi se nuk mund të eleminohet me mekanizma, por vetëm me ndërgjegjësim politik.

Lidhur me rekomandimet detyruese z.Juljan Hysomema, përfaqësues i KLSH solli në diskutime nevojën e zbatimit të rekomandimeve të lëna dhe të pranuara nga institucionet.

Prof.Dr.Aurela Anastasi, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë, vlerësoi sugjerimet për zhvillimin e takimeve me ekspertët dhe institucionet e pavaruara, duke u bazuar në kategorizimin e tyre, në rregullatore dhe mbikëqyrëse. Lidhur me rekomandimet për procesin e “vetting”, ajo rekomandoi të kufizohet vetëm në proces verifikimi paraprak, pasi në rast të kundërt mund të flitej për ndikim politik, si dhe theksoi nevojën që në procesin e zgjedhjes së titullarëve apo anëtarëve të bordeve të institucioneve të pavarura, Kuvendi duhet të jetë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës.

Z.Erjon Tase, drejtor ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, për forcimin e rolit mbikëqyrës solli nevojën e rritjes së kapaciteteve dhe ekspertizës së stafit të Kuvendit për monitorimin e punës së institucioneve dhe dhënien e rekomandimeve përkatëse. Rritja e profesionizmit të administratës do të shërbente si trashëgimi institucionale për të garantuar forcimin e rolit mbikëqyrës. Në përfundim të diskutimeve, anëtarja e Komisionit të Posaçëm, znj.Klotilda Bushka vlerësoi konstruktivitetin e diskutimeve dhe analizës së eksprtëve dhe thkesoi nevojën e krijimit të një ndërveprimi më konkret dhe real mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura. Përmbledhjen ekzekutive të analizës së ekspertëve e gjeni në faqen web të komisionit të posaçëm masl.al