Takimi në Bruksel për mirëqeverisjen, OGP bashkëpunon me Komisionin e Posaçëm

Në kuadër të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, një grup i përbërë nga deputetja znj.Milva Ekonomi, ekspertë nga GENL dhe përfaqësues të Sekretariatit Teknik, të shtyllës së Mirëqeverisjes zhvilluan një vizitë pune në zyrat e Open Government Partnership (OGP) në Bruksel.

Në takimet me përfaqësues të OGP, u diskutua gjetja e mekanizmave të bashkëpunimit në fushën e qeverisjes së hapur dhe transparencës parlamentare, si dhe u dakordësuan disa hapa konkretë për të forcuar kornizën e mirëqeverisjes dhe për të integruar parimet e OGP të transparencës, llogaridhënies, integritetit dhe gjithëpërfshirjes në punën e Komisionit dhe të Parlamentit.

Më konkretisht, u ra dakord që OGP të ofrojë rekomandime mbi shtyllën e parë të analizës, “Mirëqeverisja”, si dhe për përgatitjen e Planit Kombëtar të Veprimit (PKV). Po ashtu, u vendos të shtohet një kapitull mbi qeverisjen e hapur në dokumentin analitik, duke e pozicionuar atë si një komponent kyç që lidh dhe koordinon veprimet e tre shtyllave të analizës. Për të mbështetur stafin parlamentar në zbatimin e këtyre reformave, OGP do të ndajë një paketë udhëzimesh dhe mjetesh praktike të Open Parliament për rritjen e transparencës dhe angazhimit qytetar në proceset parlamentare.