Prezantohet Koncept-Idea për strukturën orientuese të Dokumentit Analitik

Në drejtimin e kryetarit, z.Fatmir Xhafaj, më datë 19 korrik 2024 u zhvillua mbledhja e radhës e komisionit të posaçëm parlamentar. Anëtarët e komisionit, përfaqësues të opozitës, nuk morën pjesë në mbledhje.
Fillimisht kryetari z.Xhafaj informoi mbi punën e bërë që nga momenti i ngritjes së komisionit të posaçëm parlamentar, hapat për përgatitjen e të gjithë procesit, si dhe njoftoi fillimin e fazës së parë të hartimit të Dokumentit Analitik (analizës), dokument i cili do të përgatitet nga grupi i ekspertëve që do të ngrihet së shpejti pranë KPP.
Mbledhja vijoi me prezantimin e Koncept – idesë për strukturën orientuese të Dokumentit Analitik, sipas tre shtyllave kryesore: i)mirëqeverisja, ii)antikorrupsioni dhe iii) sundimi i ligjit.

MIRËQEVERISJA
Anëtarja e komisionit të posaçëm, znj. Milva Ikonomi bëri një përmbledhje të konceptit të strukturës orientuese ku do të fokusohet analiza për shtyllën e parë, atë të Mirëqeverisjes, duke nënvizuar se analiza do të ndërtohet mbi bazën e pesë orientimeve kryesore që lidhen me: transparencën në reformën e administratën publike; efektshmërinë dhe integritetin e administratës publike; llogaridhënien e institucioneve të pushtetit qendror dhe vendor; ofrimin e shërbimeve të dixhitalizuara ndaj qytetarëve; si dhe efektiviteti dhe transparenca në menaxhimin e financave publike.
Ndërsa deputetja znj. Evis Kushi, duke marrë shkas nga reforma në dixhitalizimin e shërbimeve, që ka mundësuar marrjen më lehtë të shërbimeve për qytetarët dhe shmangien e korrupsionit, sugjeroi hartimin e një strategji më të qartë për shfrytëzimin e inteligjencës artificiale dhe në rritjen e kapaciteteve të administratës publike.

ANTIKORRUPSIONI
Anëtarja e komisionit të posaçëm, znj.Etilda Gjonaj bëri një sintezë të Draft strukturës orientuese dhe dokumenteve që do të shfrytëzohen për hartimin e analizës për shtyllën e dytë, atë të Antikorrupsionit, e cila do të fokusohet në 5 komponentë kryesorë që lidhen me: parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit për zyrtarët e lartë politik, të zgjedhurit dhe vetë partitë politike; parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në sektorët me risk më të lartë për korrupsion, duke përfshirë qeverisjen qendrore dhe në atë vendore; funksionimin dhe eficencën e institucioneve që luftojnë korrupsionin, konfliktin e interesit dhe abuzimin me financat publike; parandalimin e flukseve të paligjshme financiare dhe pastrimit të parave; ndërtimin e një shoqërie me integritet, duke nxitur denoncimet e rasteve të korrupsionit dhe përfshirjen e aktorëve të shoqërisë civile, qytetarëve, grupeve të interesit, etj. Gjatë diskutimeve, z. Erion Braçe theksoi gjithashtu se problemi duhet adresuar te partitë politike dhe duhet të nxitet përkohshmëria në postet drejtuese.

SUNDIMI I LIGJIT
Anëtarja e komisionit të posaçëm, znj.Klotilda Bushka bëri një sintezë të strukturës orientuese për këtë shtyllë të Dokumentit Analitik dhe e parashtroj atë mbi tre komponentë bazë, të cilët konsiderohen thelbësore nga raportet ndërkombëtare si: Progres Raportet e BE, Këshilli i Europës, Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit, Departamenti Amerikan i Shtetit, raporti “Rule of law” i Korrikut 2024, etj. Znj.Bushka theksoi se tre komponentët kyç janë: 1.Funksioni ligjvënës, monitorues dhe koordinues i Kuvendit të Shqipërisë; 2.Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut; 3.Konsolidimi i Reformës në Drejtësi. “Për këtë komponent të fundit, analiza sipas metodologjisë së komisionit të posaçëm duhet të kryhet së bashku me përfaqësuesit e vetë institucioneve të drejtësisë për fushën e përgjegjësisë që mbulojnë respektivisht. Konsultimi me misionet e asistencës ndërkombëtare që monitorojnë, ndihmojnë dhe mbështesin sistemin tonë të drejtësisë, është i domosdoshëm për këtë komponent”, u shpreh znj.Bushka.

Gjatë diskutimeve, deputeti z.Toni Gogu u ndal tek nevoja e adresimit të problemit të kërcënimit të të drejtave të njeriut dhe theksoi nevojën që Komisioni duhet të forcojë një sërë mekanizmash të mbrojtjes së të drejtave themelore si: e drejta e pronës; forcimi i vendimmarrjes së Autoritetit të së Drejtës së Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale; forcimin e institucioneve të pavarura dhe hartimi i një programi kombëtar të edukimit ligjor, sidomos në nivelin parashkollor dhe parauniversitar. Ndërsa deputeti z.Eduard Shalsi theksoi nevojën që Kuvendi do duhet të kalojë në një nivel të ri në mënyrë që t’i përgjigjet procesit të integrimit, por dhe thellimit të reformave.

Në përfundim të mbledhjes, z.Xhafaj njoftoi se në takimin e ardhshëm do të miratohet përbërja e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL) që do të kontribuojnë me asistencë dhe ekspertizë pranë komisionit të posaçëm. GENL do krijohet me ekspertë të propozuar nga Shoqëria Civile, Pedagogë të Fakulteteve të drejtësisë dhe ekonomisë të universiteteve publike e jo publike, Organizatave të Komunitetit të Biznesit dhe ata të Institucioneve të pavarura e Agjencive Ekzekutive ligjzbatuese, etj.